Pacolli i tregon Daçiqit se ku është zgjidhja e krizës Kosovë – Serbi

Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, në Nju Jork, ka takuar homologun e tij serb, Ivica Daciq, në kuadër të një takimi me kryediplomatët e shteteve ballkanike.

Pacolli, i cili bashkë me Presidentin Hashim Thaçin dhe me kryeministrin Ramush Haradinajn po qëndrojnë në Nju Jork për punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB’së, është takuar edhe me Daciqin.

Ai thotë se ekonomia do të ishte zgjidhje e dialogut me Serbinë, më shumë se sa që do të mund të arrinte politika.

Shkrimi i plotë i Pacollit:

Në takimin e sotëm të ministrave të jashtëm të rajonit së bashku me Komisionerin Hahn, kushtuar një Plan Veprimi për bashkëpunimin ekonomik, thashë se «dixhitalizimi është një levë e jashtëzakonshme e zhvillimit rajonal » dhe mora shembullin e kompanisë globale UBER, e cila falë dixhitalizimit është bërë një lojtar i fuqishëm në vetëm 4 vjet.

Kërkova që mes vendeve tona të krijohen holdingje në fushën e hekurudhave, autostradave dhe energjisë, sepse « kompanitë e dobëta vendore nuk mund të mbijetojmë në kushtet e globalizmit »

Në lidhje me dialogun me Serbinë, nënvizova se « nëse do përqëndrohemi vetëm tek zgjidhjet politike do ketë ngecje. Zgjidhja është tek ekonomia, tek mirëqenia e fëmijëve dhe familjeve tona ».

Lini Një Koment