PDK: Aksionet paramilitare të VV’së po krijojnë pasiguri në vend

Kryesia e PDK’së sot gjatë një takimi ka diskutuar për situatën aktuale në vend. PDK ka vlerësuar se i gjithë spektri politik duhet të jetë i bashkuar për çështjet me rëndësi nacionale, siç janë demarkacioni dhe çështje tjera që forcojnë shtetësinë e Kosovës.

Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës, thekson se demokracia  duhet të jetë e bazuar në respektimin dhe zbatimin e rendit dhe ligjit dhe në këtë drejtim mbështetë punën institucionale të organeve përgjegjëse si dhe mbështetjen nga institucionet ndërkombëtare të pranishme në vendin tonë.

PDK ka folur edhe për arrestimin e aktivistëve të VV’së.

Më poshtë mund ta lexoni komunikatën e plotë:

“Kryesia e PDK’së , sot, gjatë takimit të rregullt, diskutoi për situatën aktuale në vend. Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se i gjithë spektri politik duhet të jetë i bashkuar për çështjet me rëndësi nacionale, siç janë demarkacioni dhe çështje tjera që forcojnë shtetësinë tonë.

Partia Demokratike e Kosovës konsideron se partneriteti me bashkësinë ndërkombëtare është jetik për fuqizimin e shtetit tone, por edhe për proceset e integrimit euro-atlantik të Republikës së Kosovës.

Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës, me fokus të veçantë në gjendjen aktuale të sigurisë, thekson se demokracia jonë duhet të jetë e bazuar në respektimin dhe zbatimin e rendit dhe ligjit dhe në këtë drejtim mbështetë punën institucionale të organeve përgjegjëse si dhe mbështetjen nga institucionet ndërkombëtare të pranishme në vendin tonë.

Partia Demokratike e Kosovës me shqetësim të madh i ka përcjellë ngjarjet e sotme, ku zyrtarë dhe militantë të Lëvizjes Vetëvendosje janë arrestuar me dyshime në lidhje me sulmet e armatosura kundër institucioneve të Republikës së Kosovës, konkretisht Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës, fton organet e rendit dhe ligjit që të ndërmarrin të gjithë hapat ligjorë kundër të gjithë atyre që nëpërmjet metodave dhe aksioneve para-militare kanë degraduar sigurinë në vend dhe kanë cenuar lirinë e secilit qytetar të Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës, si partia më e madhe dhe me besimin më të madh të qytetarëve në vend, do të kundërshtojë fuqishëm forcat destabilizuese dhe do të jetë garant e funksionimit të shtetit të pavarur dhe sovran. Çdo veprim që bie ndesh me ligjin, që cenon lirinë, sigurinë dhe jetën e qytetarëve, do të jetë i dënueshëm.

Partia Demokratike e Kosovës, do të jetë përherë aktive dhe e përgjegjshme për veprimet e veta dhe në koordinim me tërë spektrin politik që respekton rendin kushtetues dhe ligjet e Republikës së Kosovës, por edhe me partnerët ndërkombëtarë, do të angazhohet plotësisht për fuqizimin e shtetit tonë, për mirëqenien dhe sigurinë e qytetarëve tanë, pa dallim”, thuhet në komunikatë.