Plani i Shpend Ahmetit për t’u bërë kryeministër i ardhshëm i Kosovës

Shkruan: Xhevdet POZHARI

Shpend Ahmeti ka filluar parapërgatitjet e tij për realizimin e synimit final: të bëhet kryeministër i ardhshëm i Kosovës.

Mandati i tij i dytë si kryetar i Komunës së Prishtinës, në fakt është vënë në shërbim të realizimit të ambicies së tij, e jo në shërbim të qytetarëve që e votuan. Së fundmi ai nënshkroi bashkëpunimin me partinë e Mimoza Kusari – Liles, për bashkëqeverisje në kryeqytet. Asaj iu premtua udhëheqja e Drejtorisë së Mirëqenies Sociale. Gradualisht, qoftë edhe në miniaturë, Shpend Ahmeti është duke e kopjuar qeverinë e Haradinajt për sa i përket numrit të lartë të dikastereve. I vetëdijshëm se vetëm kompromiset politike mund ta afrojnë me ambicien e tij që e shtyu të ndahet edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, Shpend Ahmeti tashmë ka treguar shenja se nuk do të zgjedh rrugë për ta arritur synimin e tij, të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës.

Derisa tashmë i pari i Komunës së Prishtinës është në bashkëqeverisje lokale me AKR’në e Behgjet Pacollit dhe AAK’në e Ramush Haradinajt, bashkëngjitja edhe e Kusari – Liles vetemsa e kompleton koalicionin e parë parazgjedhor në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. I paqartë deri më tani mbetet vetëm pozicionimi i NISMA për Kosovën. Dhe duket se përvoja e dy subjekteve të reja, NISMES dhe Alternativës t’i kenë shërbyer si mësim Shpend Ahmetit, i cili mund të orvatet rreth pragut zgjedhor, nëse do të zgjidhte të garonte si subjekt i vetëm karshi partive tashmë të etabluara, Vetëvendosje, LDK dhe PDK.

Me një PDK të dobësuar seriozisht, e cila arriti të mbijetojë edhe këtë mandat në pushtet vetëm duke e dhënë në dispozicion postin e kryeministrit 5 minuta para orës 12, koalicioni i ardhshëm me Shpend Ahmetin kandidat për kryeministër i përbërë nga PSD, AAK, AKR, Alternativa, e mbase edhe Nisma, me përkrahjen edhe të ndërkombëtarëve, do të synonte bashkëqeverisjen me LDK’në apo Vetëvendosjen. Votat e Listës Srpska nuk do të ishin problem për Ahmetin i cili që nga mandati i kaluar është në koalicion me këtë parti, në nivel komunal.

Në këto rrethana, Shpend Ahmeti do të duhej të përpiqet maksimalisht për mosbashkepunimin e LDK’së dhe Vetëvendosjes, bashkëpunim i cili jo vetëm që do ta shuante ëndrrën e tij për kryeministër në emër të së cilës e braktisi edhe Vetëvendosjen, por edhe do ta shpartallonte që në ngjizje një parti të re si PSD që ngjan në konglomerat interesash të individëve, siç synon ta arnojë edhe qeverisjen e ardhshme eventuale, Shpend Ahmeti, social-demokrati që u ngut të bëhet “babë” i partisë, që një ditë të jetë edhe “babë” i një qeverie me fëmijë nga baballarë të ndryshëm.

Sidoqoftë dhe pa marr parasysh rrjedhën e ardhshme të karrierës politike të Shpend Ahmetit ka diçka që mund të konstatohet qysh tani: bëhet fjalë për politikan i cili interes më të lartë politik e ka karrierën e tij dhe i cili për ta realizuar atë i përmbahet parimit ushtarak – qellimi i arsyeton të gjitha mjetet! Apo thënë ndryshe me gjuhën e popullit: bëhu vëlla edhe me dreqin për ta arritur qëllimin e për ta knaqur vetveten. E, për politikanët e tillë rëndom thuhet: të mirë me të gjithë, por të dobishëm veç për veten!

Lini Një Koment