Policia zgjeron pistën e hetimeve pas vrasjes së 32 vjeçarit në Rahovec

Dje i është dhënë lamtumira e fundit 32 vjeçarit Naser Murselajt, në varrezat e fshatit Qifllak të Rahovecit. Murselaj është varrosur, ndërsa autori i vrasjes ndodhet në liri. Për të zbardhur këtë rast policia ka intervistuar disa persona, përfshirë familjarë, fqinjë e të afërm të viktimës por deri më tani nuk është identifikuar asnjë i dyshuar.

Për vrasjen e 32 vjeçarit që sipas familjarëve mund të jetë kryer në ndonjë lokacion tjetër pastaj atë e kanë sjellë pa shenja jete në oborr të shtëpisë, policia nuk e di motivin dhe as autorin. Gazeta Express gjatë ditës së sotme ka biseduar me Ahmet Hasin nga policia rajonale e Gjakovës.

Hasi tha se pjesëtarë të Policisë së Kosovës dje kanë qenë të pranishëm në ceremoninë mortore të Naser Murselajt në mënyrë që të zgjerohet pista e hetimeve. Megjithatë ende nuk ka të arrestuar.

“Ende se kemi identifikuar ndonjë të dyshuar, dje ka qenë varrimi i viktimës dhe policia ka marrë pjesë dhe i ka intervistu disa njerëz.Nuk kemi asnjë të arrestuar, po punohet dhe është zgjeruar pista e hetimeve”, tha Hasi.

I pyetur se a ka mësuar policia për motivin e vrasjes së Naserit, Hasi tha se policia ende nuk ka asnjë dyshim se pse mund të jetë kryer kjo vrasje.

“Për momentin nuk ka diçka konkrete…Asnjë gjë nuk është asnjë dyshim as prej fqinjëve as familjarëve as prej njerëzve që e kan njoft viktimën”, tha ai.

Ndryshe, pasi Murselaj u gjet i vrarë në oborrin e shtëpisë, trupi i pajetë është dërguar për obdukim.

Pas përfundimit të obduksionit, kufoma i është dorëzuar familjarëve. Atij dje i është dhënë lamtumira e fundit në varrezat e fshatit Qifllak të Rahovecit.

Vrasja e Naser Murselajn vazhdon të mbetet mister.

Familja ka mohuar se Naseri ka qenë i futur në ndonjë problem, pasi për të thanë se ka qenë i pafjalë, i kulturuar dhe punëtor.

Rrëfimi i familjes KËTU:

Vrasja e Naser Murselajt është e 14-ta me radhë brenda këtij viti në Kosovë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme