Politika e kthen në pikën zero konkursin për drejtorin e doganave

Pak ditë para se Albin Kurti ta merrte pozitën e kryeministrit të Kosovës, drejtorit të Doganës, Bahri Berisha, iu vazhdua mandati.  Ishte Ramush Haradinaj ai që e mori këtë vendim.

Me t’u votuar qeveria e Kurtit, kryeministri anuloi vendimin e Haradinajt për të mundësuar shpalljen e konkursit në mënyrë të rregullt.

 ImageImage

Por, me ndërrimin e pushtetit pas mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, gjërat ndërruan sërish.

Ministria e Financave e udhëhequr nga Hykmete Bajrami nga LDK, ditë më parë ka njoftuar që është anuluar konkursi për drejtor të përgjithshëm të Doganës së Kosovës, i shpallur në kohën e Qeverisë Kurti, pjesë e cilës ishte edhe LDK në atë kohë.

“Meqë Qeveria e Republikës së Kosovës është në proces të nënshkrimit të Marrëveshjes me Ambasadën Britanike për monitorimin e përzgjedhjes së kandidatëve për pozitat e larta drejtuese, Ministria e Financave ka vendosur të anulojë konkursin e shpallur më 12.02.2020 dhe ta rishpall këtë pozitë, duke udhëhequr një proces rekrutimi transparent përmes bashkëpunimit të ngushtë me palën britanike”, thuhet në njoftimin e MF-së.

Pas këtij vendimi, i menjëhershëm ishte reagimi i ish-ministrit të Financave Besnik Bislimi, i cili hodhi dyshime pas vendimit të fundit nga MF.

Ish-ministri tha se nuk ka asnjë argument valid për të anuluar konkursin, përveç nëse lista ka nevojë të pasurohet me ndonjë kandidat shtesë të preferuar politik.

“Në konkursin e hapur me 12 shkurt për drejtor të Doganave të Kosovës kanë aplikuar 27 kandidatë potencial. Ky ka qenë numri më i madh i kandidatëve që ka aplikuar për këtë pozitë që nga themeilimi i këtij institucioni. Mbase nga bindja se konkursi dhe përzgjedhja do jenë objektive dhe transparente. Menjëherë pas kompletimit të aplikacioneve dhe përzgjedhjes së panelit intervistuesh kanë filluar masat kufizuese, andaj edhe është shtyrë intervistimi i kandidatëve.

Sipas Bislimit, kjo nënkupton që deri më tani nuk është kompletuar asnjë proces nga konkursi dhe me aplikacionet e grumbulluara.

“Numri i aplikacioneve është mjaftueshëm i madh; paneli është i përzgjedhur dhe nuk ka asnjë individ staf politik; pjsëmarrja e britanikëve është aranzhuar që para fillimit të intervistimit, e poashtu edhe prezenca e shoqërisë civile (mediat) si garant për transparencë në process.”

 

Analisti Xhevdet Pozhari, për Syri.net Kosova tha se kjo qeveri çdo ditë e më shumë po dëshmon se e njeh veç praktikën e emërimeve të njerëzve të pakualifikuar në poste politike, ndërsa nuk dallon me asgjë nga qeveritë para zgjedhjeve të fundit sa i përket përzgjedhjeve të personave në pozita të ndjeshme.

 “Ështe fakt i njohur tashmë se shteti i Kosovës lëngon nga ajo që quhet “kapje e shtetit” nga pushtetarë që të mirën e përgjithshme e barazojnë me interesin personal dhe grupor. Sa i përket konkursit për drejtor të doganes dhe referuar edhe deklarimeve të ish ministrit Bislimi, e vetmja “pengesë” procedurale nënkuptohet se ka qenë se ndonjë person i caktuar nuk e ka “plotësuar aplikacionin” në kohen e Qeverisë Kurti.

Sipas Pozharit, është me interes të veçantë të ndiqet ky konkurs, ngaqë me gjasë nuk ka dyshime se aty do të krijohen parakushte që të pozicionohet ndonjë i degjueshëm i partisë, militant apo familjar.

 “Pyetja e vetme e paqartë është se cilës parti në pushtet i është premtuar pozita e njeriut kryesor te doganave”.

Ndërsa, analisti Mustafë Kadriaj, për Syri.net Kosova thotë se si rezultat i kësaj praktike që nga paslufta ka bërë që miqtë ndërkombëtarë të i shohin institucionet tona me dyshim për korrupsion dhe rekturim të njerëzve partiak dhe më e rënda që përkundër intersimit të tyre që të vendosin transparencë në pozita kyqe, si rasti i doganës e të ngjashme.

“Partitë politike gjejnë argumente nga balta për të i anashkaluar këto konkurse. Ndërsa profilii minstreshës Hykmete Bajrami tani është i njohur për largim dhe rekrutim të njerzve që i përshtaten shijes së saj politike dhe familjare. Ministrja vetëm po vazhdon praktikën siç ishte në Minstirinë e Arsimtit tani edhe si ministre e Financave që këtu gjërat janë të qarta për të vendosur njerëz me ngjyrime politike.”

Kadriaj thekson se si rezultat i kësaj praktike, subjektet politike në vend kanë dëshmuar se  si emërues të përbashkët kanë korrupsionin dhe nepotizmin.

“Ato qëndrojnë në pushtet si rezultat i korrupsionit dhe bëjnë opozitë duke u shtier që po luftojnë korrupsionin kështu që termi korrupsion po i mbanë në jetë politikisht ndërsa shteti dhe qytetari e vuan çdo ditë duke humbur perspektivën dhe mundësinë për jetë cilsor dhe shtet normal”

Ndryshe, Dogana e kosovës mblodhi rreth 1.2 miliardë euro të hyra gjatë vitit 2019 ose rreth 4 përqind më shumë se në vitin 2018.

© SYRI.net