Presidenti dënon sulmin ndaj shtëpisë së Mehës, e quan kërcënim ndaj shtetit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dënuar sulmin që i është bërë sot shtëpisë së Murat Mehës, kryetar i Komisionit Qeveritar për Demarkacion.
Në shtëpinë e Mehës sot u gjet një bombë, të cilën më pas policia e shpërtheu në mënyrë të kontrolluar.

Thaçi, nëpërmjet një shkrimi në faqen e tij zyrtare në Facebook, ka thënë se çdo qëndrim apo bindje politike duhet të mbrohet dhe promovohet vetëm me argumente politike, shkruan Gazeta Express.

“Dhuna, kërcënimet, frikësimet dhe terrorizimi i familjeve të zyrtarëve të shtetit, me mjete shpërthyese para shtëpive të tyre, janë të papranueshme në Kosovë dhe duhet të ndërpriten menjëherë”, ka thënë Thaçi.

“Kërcënimet kundër zyrtarëve të shtetit janë kërcënime kundër vetë shtetit”, thuhet në fund të shkrimit të presidentit në rrjetin social.

Lini Një Koment

Shiko t'gjithë komentet

Veq Lexuesit e regjistruar mund të komentojnë