Qeverinë nuk e shqetësojnë “kërcënimet” e Listës Serbe

Qeverisë së Kosovës nuk i bëjnë përshtypje kërcënimet e partnerit të koalicionit – Listës Serbe, dhe paralajmërimet se nuk do të kalojë pa pasoja shkarkimi i ministrit të pushtetit lokal, Ljubomir Mariq.

Shkarkimi i ministrit Mariq nga ana e kryeministrit Isa Mustafa ka shkaktuar kundërthënie e përplasje brenda partnerëve të koalicionit, shkruan sot Koha Ditore.

Derisa zyrtarë të kabinetit Mustafa thonë se shkarkimi i Mariqit është bërë në konsultim me Listën Serbe, përfaqësues të kësaj të fundit e kanë mohuar një gjë të tillë.

Bajram Gecaj, këshilltar i kryeministrit Mustafa, njëherësh zëvendësministër i Pushtetit Lokal, ka thënë se koalicioni nuk do të rrezikohet, sepse shkarkimi i shefit të tij në ministri është bërë në konsultim me Listën Serbe.