Sekretari amerikan i Mbrojtjes James Mattis nesër viziton Shkupin

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis nesër do të ketë vizitë zyrtare në Maqedoni.

Mattis do të ketë takim me kryeministrin maqedonas Zoran Zaev, me ministren e Mbrojtjes Radmila Shekerinska, ndërsa më pas është paraparë deklaratë e përbashkët për mediat.

Edhe vetë Mattis paraprakisht këtë javë paralajmëroi se do ta vizitojë Maqedoninë që të shpreh mbështetje të qartë për referendumin e ardhshëm për çështjen e emrit, por edhe brengosje për shkak të involvimit të mundshëm të Moskës në proces.

“Do të shkoj t’i vizitoj miqtë tanë të Maqedonisë dhe do ta bëj të qartë se SHBA-ja e mbështet popullin e Maqedonisë”, tha Mattis në një deklaratë për gazetarët në Pentagon.

“Nëse keni votim, Moska do të përzihet. Unë jam i brengosur për atë. Përzierja të tillë Rusia ka praktikuar nga Estonia e deri në SHBA, nga Ukraina dhe tani deri në Maqedoni, gjithmonë i përshtatet situatës konkrete”, tha ai.

Për herë të parë në 14 vitet e fundit një sekretar amerikan i Mbrojtjes ndodhet për vizitë në Maqedoni.

Lini Një Koment