Selimi: Demarkacioni duhet të sillet në komisionin për punë të brendshme

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi thotë se marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi nuk do të dërgohet në komisionin parlamentar për punë të brendshme, por vetëm në atë për punë të jashtme.

Ky është postimi i plotë i Selimit:

Siç duket, marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, Qeveria do ta dërgojë vetëm në Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme e jo edhe në Komisionin për Siguri, Punë të Brendshme dhe mbikëqyrjen e FSK-së. Marrëveshja për demarkacionin do të duhej të vinte edhe në Komisionin për Punë të Brendshme.

Më 26 gusht 2015, ne Vjenë, demarkacionin nuk e kanë nënshkruar vetëm ministrat e jashtëm, asokohe Hashim Thaçi e Igor Llukshiq, por edhe ata të brendshëm, Skënder Hyseni e Rashko Konjeviq. Kufiri nuk është vetëm çështje e jashtme. Kufiri është çështje edhe e jashtme edhe e brendshme. Pikëpamja se kufiri është vetëm çështje e jashtme ta sjell sprapsjen në brendi të territorit!

Prandaj, kjo marrëveshje duhet të vijë edhe në Komisionin për Siguri, komision i cili e ka proceduar dhe e ka nën mbikëqyrje edhe Ligjin për Kufirin shtetëror, e ka nën mbikëqyrje menaxhimin e kufijve shtetëror të Kosovës dhe po ashtu edhe njësitë e Policisë Kufitare të PK-së.

Gjithashtu Komisioni për Siguri e mbikëqyr edhe vetë ministrin i cili është njëri ndër nënshkruesit e asaj marrëveshje.

Lini Një Koment

Shiko t'gjithë komentet

Veq Lexuesit e regjistruar mund të komentojnë