Serwer: BE t’ua japë vizat kosovarëve, në këmbim të heqjes së taksës

Ish-diplomati amerikan, Daniel Serwer, ka folur për takimin e 1 korrikut në Paris, ku ka thënë se nuk do të arrihet ndonjë marrëveshje e gjerë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.


Serwer ka thënë se BE-ja duhet të  liberalizojë vizat për kosovarët, në këmbim të heqjes së taksës ndaj produkteve serbe.

Këto deklarata Serwer i ka bërë në një intervistë për Express, ku ndër të tjera flet edhe për vizitën e Pompeos në Gjermani dhe ndërlidhjen e kësaj vizite zhvillimet Kosovë-Serbi, Samitin e Berlinit, korrigjimin e kufijve e Federica Mogherinin.

Ai ka thënë se takimi në Berlin bëri të qartë se nuk do të pranojë ndryshimet kufitare.

“Gjermania e bëri të qartë se nuk do të pranojë ndryshimet kufitare. Nga ajo që kam kuptuar unë, edhe Makron e ka bërë të qartë gjithashtu, privatisht. Mendoj se Sekretari i Shtetit ka shumë gjëra në mendje: Ukraina, Rusia, Kina, Siria dhe Ballkani Perëndimor, sipas njoftimit zyrtar. Dyshoj se Ballkani Perëndimor do të ketë përparësi. Ai sigurisht që është i vetëdijshëm për takimin e Berlinit, po rnuk mendoj se ajo do të jetë thelbësore në udhëtimin e tij në Berlin”, ka thënë Serwer.

Ai ka shtuar se BE’ja duhet të heq vizat për Kosovën, në këmbim të heqjes së taksës ndaj produkteve serbe.

“Mendoj se mund të sjellë disa marrëveshje për të zbatuar marrëveshjet të cilat janë arritur deri tani, por nuk e kam bindjen që një marrëveshje më e gjerë mund të arrihet në këtë kohë. Ja një ide: BE duhet të heq vizat për Kosovën, në këmbim të heqjes së taksës ndaj produkteve serbe. Mogherini është e pasuksesshme dhe pa ndikim, duke përfunduar mandatin e saj. Mendoj se ajo bëri një gabim të madh duke lejuar që të hapet çështja e ndryshimeve kufitare. Por ideja ka dështuar”, ka thënë ai.

Sipas tij normalizimi nuk mund të bëhet përmes paketave magjike.

“Normalizimi ndoshta nuk mund të arrijë me një paketë magjike këtë vit, pasi disa prej diplomatëve optimist e kanë shpresuar. Ajo mund të vijë si rezultat i një procesi të gjatë dhe të vështirë. Ajo kërkon një bashkëpunim intensiv dhe kompleks jashtë kufijve”, ka përfunduar ai.

Lini Një Koment