SHBA, dritë jeshile për rezolutën mbi vëllezërit Bytyqi

Kanë kaluar gati dy dekada nga vrasja e vëllezërve Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi në Serbi dhe ndaj askujt nuk janë ngritur akuza penale, me gjithë premtimet e qeverisë serbe për të sjellë ekzekutorët e krimit përpara drejtësisë.

Të enjten, familja e vëllezërve Bytyqi ishte në Kongresin amerikan ku përjetoi një ngjarje që i bën ata optimistë se drejtësia do të vihet në vend.

Siç njofton Zëri i Amerikës, Komisioni për Punët e Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve i dha dritën e gjelbër një rezolute, e cila u kërkon Shteteve të Bashkuara të vazhdojnë trysninë ndaj qeverisë serbe për ndëshkimin e fajtorëve.

Kongresmeni republikan nga New Yorku, Lee Zeldin, është sponsorizuesi kryesor i rezolutës për vëllezërit Bytyqi, e cila u propozua një vit më parë.

“U deshën shumë përpjekje për të arritur deri tek votimi në Komisionin për Punët e Jashtme, që do të thotë se ka më shumë ndërgjegjësim për atë që ndodhi. Rezoluta ka mbështetje nga të dyja partitë. Që marrëdhëniet mes vendeve të përmirësohen, kjo është pikërisht prova e vullnetit të mirë: të kemi drejtësi, të kërkojmë llogari dhe transparencë për atë që ndodhi,” i tha kongresmeni familjes Bytyqi.

Në Komisionin për Punët e Jashtme, kryetari i tij Ed Royce i shprehu ngushëllimet e thella prindërve dhe dy djemve të mbetur nga familja Bytyqi, që ishin ulur në sallë.

Shtetet e Bashkuara prej kohësh i kanë kërkuar qeverisë serbe të nxjerrë përpara drejtësisë ata që ekzekutuan tre vëllezërit Bytyqi, të cilët u arrestuan në korrik 1999, pas mbarimit të luftës së në Kosovë, kur ishin duke kaluar gabimisht kufirin në Serbi. Ajo që dihet është se megjithë vendimin e një gjykatësi për lirimin e tyre, ata u morën nga një njësi serbe e operacioneve speciale, u ekzekutuan dhe u lanë sipër një varri masiv.

Autoritetet serbe nuk kanë ngritur asnjë akuzë ndaj personave që kanë qenë pjesë e zinxhirit të komandës në Ministrinë e Brendshme dhe që kanë patur lidhje me këtë krim.

Rezoluta për vëllezërit Bytyqi tani do t’i kalojë për miratim gjithë Dhomës së Përfaqësuesve.

“Fakti që rezoluta u përfshi në agjendë, tregon se tani ajo nuk është thjesht në duar të disa individëve dhe se Kongresi dhe Shtetet e Bashkuara në tërësi kërkojnë që të ndërmerren veprime,” thotë Bob Hand, këshilltar politik i Komisionit amerikan të Helsinkit, i cili ka punuar prej vitesh me familjen Bytyqi për të kërkuar drejtësi për tre vëllezërit.

Ai i tha Zërit të Amerikës:

“Drejtësia duhet të vihet në vend dhe unë shpresoj se kjo seancë si dhe kalimi i rezolutës për miratim në seancën plenare në Dhomën e Përfaqësuesve i dërgon Beogradit mesazhin e duhur se pavarësisht nga çështjet e tjera për të cilat ne flasim në marrëdhëniet tona, ne kërkojmë të shohim veprime konkrete nga ana e tyre dhe nëse kjo nuk ndodh, atëherë do të ketë pasoja në marrëdhëniet tona në përgjithësi.”

Kongresmeni Eliot Engel, numri dy i Komisionit dhe njëri prej atyre që e sponsorizuan rezolutën, thotë se Serbia duhet të përmbushë premtimet:

“Ne duam drejtësi dhe nuk do të ndalemi së luftuari për drejtësi. Zyrtarët serbë nuk mund ta shtyjnë më gjatë këtë çështje. Ata duhet të përmbushin premtimet që më kanë bërë mua dhe shumë njerëzve të tjerë, për t’i shkuar deri në fund kësaj, jo vetëm vrasjes së vëllezëve Bytyqi por qindra e mijëra kosovarëve të tjerë të vrarë nga banditët.”

Republikani Ted Poe i Teksasit shprehu shqetësimin se një rezolutë e tillë mund të dëmtonte marrëdhëniet me Serbinë.

“Kriminelët duhen ndjekur penalisht, pavarësisht se ku ka ndodhur krimi,” tha ai. “Por, këto probleme mund të zgjidhen duke i ruajtur marrëdhëniet me këto vende dhe jo duke i prishur ato”.

Kreu i komisionit, Royce tha se kjo nuk është diçka që duhet të shkaktojë shqetësim por fakt është se ka kaluar një kohë kaq e gjatë dhe asgjë nuk është bërë. Edhe nënkryetari Engel tha se e kupton shqetësimin e kolegut të tij, por shtoi se Kryeministri dhe më pas Presidenti Aleksandar Vuçiç i Serbisë nuk e ka mbajtur premtimin për të ndjekur penalisht autorët e krimit.

Ilir Bytyqi është vëllai i Yllit, Agronit dhe Mehmetit:

“Është turp për qeverinë serbe që merr në mbrojtje kriminelë lufte,” thotë ai.

Atij i kujtohet takimi i fundit me tre vëllezërit para se ata të niseshin për në Kosovë:

“Folëm për familjen që kishim ende në Kosovë. Në atë kohë, nëna ime, motra dhe vëllai, Fatosi, ishin atje dhe ne nuk kishim mundur të kontaktonim me ta. Vëllezërit e mi ishin të ndershëm, besnikë dhe ndihmonin njerëzit në nevojë. Këtë bënë edhe kur shkuan në Kosovë.”

Avokati i familjes Bytyqi është Praveen Madhiraju:

“Ne do të vazhdojmë të bëjmë presion, po ashtu edhe Kongresi dhe Departamenti i Shtetit. Qeveria amerikane po flet tani me një zë të vetëm, duke thënë se Serbia nuk mund të vazhdojë të mbrojë kriminelët e luftës.”

Për prindërit e vëllezërve Bytyqi, Ahmet dhe Bahrije, vuajtja nuk ka qenë e lehtë.

“Kanë kaluar 20 vjet, që kanë qenë të rënda për ne dhe këtë e kuptojnë të gjithë ata që janë prindër. Por gjërat po vihen në rregull dhe ne falenderojmë të gjithë ata që kanë punuar shumë, atyre që kanë respekt për nënshtetasit e vet të cilët zgjedhin një rrugë të drejtë, atyre që janë liridashës për popullin,” thotë Ahmet Bytyqi.

Nëse drejtësia do të vihet në vend, kjo mbetet për t’u parë. Ndryshimi është se tani presioni ndaj Beogradit do të vijë jo thjesht nga disa diplomatë por do të ketë peshën e të gjithë Kongresit.

Lini Një Koment