Shoqëria civile, letër të hapur institucioneve të BE-së: Na i hiqni vizat!

Aktivistë të shoqërisë civile, gazetarë, opinionistë e sportisë bashkërisht, i janë drejtuar me një letër publike Komisionit Evropian, Parlamentit dhe Këshillit të BE-së.

Në këtë letër nga Bashkimi Evropian kërkohet që të merret vendimi për liberalizimin e vizave.

Në letër ata kanë dhënë tri arsye.

“Qytetarët e Kosovës janë të vetmit, nga i gjithë rajoni, ndaj të cilëve aplikohet regjimi i vizave Shengen, me gjithë vullnetin tonë shoqëror që kemi për procesin e integrimeve europiane.  Si shoqëri jemi duke humbur shanse të mëdha për transformim të bazuar në modele europiane për shkak se jemi të privuar nga mundësia që të shkëmbejmë përvoja me qytetarët e shteteve anëtare të BE-së.  Kemi konstatuar se izolimi i të rinjve ka qenë faktor shtytës për përfshirje në organizata radikale e ekstremiste, sidomos ato me bazë në Lindjen e Mesme. Dhe, më e rëndësishmja, ne mendojmë se Kosova ka plotësuar kriteret e matshme të dala nga procesi i liberalizimit të vizave”, thuhet në letër.

Lexojeni të plotë letrën e hapur:

Për: Komisionin Evropian, Parlamentin Evropian dhe Këshillin e Bashkimit Evropian

Letër e hapur nga shoqëria civile e Kosovës

Të nderuar komisionerë, europarlamentarë dhe ministra të shteteve anëtare të Bashkimit Europian,

Qytetarët e Kosovës janë të vetmit në Europë që nuk e gëzojnë të drejtën e lirisë së lëvizjes brenda Zonës së Schengenit. Ka kaluar një dekadë, qëkur vendi ynë i është nënshtruar reformave dhe plotësimit të kushteve specifike në kuadër të procesit të liberalizimit.
Mijëra studentë, personalitete të suksesshme të artit, kulturës, sportit ende duhet t’i nënshtrohen regjimit të vizave, që kufizon qëndrimin për një afat të përcaktuar kohor. Familje të tëra nuk kanë mundësi të vizitojnë familjet e tyre, vende e qytete. Po ashtu nuk kanë mundësi të njihen me vlerat kulturore europiane, ndërsa në teori i mësojnë fëmijët e tyre se perspektiva e Kosovës është në Bashkimin Europian. Shumë pak të rinj të Kosovës kanë pasur fatin të shohin ndonjë shtet europian, ngaqë edhe vizitat studimore janë projekte vështirë të realizueshme për shkak të regjimit të ashpër të vizave.
Në Kosovë ekziston perceptimi se BE-ja ka parashtruar kërkesa të veçanta dhe është duke e diskriminuar Kosovën sa i përket liberalizimit të vizave. Kemi kaluar nëpër një bllokadë politike për tri vite radhazi për shkak të çështjes së demarkimit të kufirit me Malin e Zi, kriter ky i vendosur gjatë procesit të liberalizimit. Kjo çështje, përveç se ka polarizuar skenën politike, ka ndarë edhe qytetarët, ka rritur pasigurinë dhe besimin e qytetarëve ndaj partive politike kosovare dhe autoriteteve të Brukselit. Me gjithë ndjeshmërinë e lartë të kësaj çështjeje ne kemi gjetur modalitetin e aprovimit të Marrëveshjes së Demarkacionit, meqë ka qenë kriter i kërkuar specifikisht për liberalizimin e vizave.

Tani, të nderuar europarlamentarë dhe ministra të shteteve anëtare të Bashkimit Europian, ju jeni para marrjes së vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ne, si shoqëri civile e Kosovës, ju bëjmë thirrje që të merrni vendim PËR liberalizimin e vizave për Kosovën, ndër të tjera, për këto arsye:
1. Qytetarët e Kosovës janë të vetmit, nga i gjithë rajoni, ndaj të cilëve aplikohet regjimi i vizave Shengen, me gjithë vullnetin tonë shoqëror që kemi për procesin e integrimeve europiane.
2. Si shoqëri jemi duke humbur shanse të mëdha për transformim të bazuar në modele europiane për shkak se jemi të privuar nga mundësia që të shkëmbejmë përvoja me qytetarët e shteteve anëtare të BE-së.
3. Kemi konstatuar se izolimi i të rinjve ka qenë faktor shtytës për përfshirje në organizata radikale e ekstremiste, sidomos ato me bazë në Lindjen e Mesme.
4. Dhe, më e rëndësishmja, ne mendojmë se Kosova ka plotësuar kriteret e matshme të dala nga procesi i liberalizimit të vizave.
Presim që raporti final vlerësues për liberalizimin e vizave të jetë pozitiv dhe i bëjmë thirrje Parlamentit Europian, Këshillit të Ministrave dhe veçanërisht shteteve anëtare të BE-së që të votojnë në favor të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Mbështesim synimin e BE-së për të vendosur kontroll në rrjedhën e migracionit dhe për të futur mekanizmat për pezullimin e liberalizimit të vizave, ashtu siç është i aplikueshëm për shtetet e tjera. Konsiderojmë se Kosova nuk përbën një rrezik migrimi për BE-në.

Duke marrë parasysh se Bashkimi Europian do të mbajë zgjedhjet në fillim të vitit të ardhshëm, shpresojmë shumë që ky vendim të merret në qershor të këtij viti, me qëllim që qytetarët – mbajtësit e pasaportave biometrike të Kosovës – të gëzojnë të drejtën e udhëtimeve afatshkurtra dhe pa viza në Zonën e Schengenit.

Çdo shtyrje eventuale e vendimit të Këshillit për liberalizimin e vizave do të dëmtojë rëndë ambicien e shoqërisë kosovare për integrim europian dhe do të përjetohet gjerësisht si diskriminim ndaj qytetarëve të Kosovës edhe në raport me rajonin.

Prandaj, të nderuar europarlamentarë dhe ministra të shteteve anëtare të Bashkimit Europian, u bëjmë thirrje shteteve anëtare të BE-së që ta miratojnë vendimin sa më parë që të jetë teknikisht e mundur dhe të vendosin PËR liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Deklarata është përkrahur nga:

Adriatik Kelmendi, Publicist
Arijana Qosja, Aktiviste e Sh.C.
Artan Demhasaj, Aktivist i Sh.C.
Astrit Gashi, Publicist.
Berat Buzhala, Publicist.
Dastid Pallaska, Avokat.
Dushan Radakovic, Aktivist i Sh.C.
Eliza Hoxha, Artiste.
Fadil Vokrri, President tek FFK.
Fahredin Spahija, Fotograf.
Igballe Rugova, Aktiviste e Sh.C.
Imer Mushkolaj, Publicist.
Ismet Kryeziu, Aktivist i Sh.C.
Jehona Lushaku, Politologe
Jeton Neziraj, Rexhisor .
Kushtrim Sadiku, Gazetar.
Lulzim Peci, Aktivist i Sh.C.
Majlinda Kelmendi, Xhudiste, fituese e Lojërave Olimpike.
Oda Haliti, Artiste.
Petrit Zogaj, Aktivist i Sh.C.
Sibel Halimi, Sociologe.
Uta Ibrahimi, Alpiniste e Kosovës – FBAK.
Zake Prelvukaj, Artiste.

Lini Një Koment