Shpëtuan pa u lagur me shampanjë!

Kimete Berisha

 

1. Isa Mustafa, në nëntor 2019, mini-shëngenin e quajti mini-Jugosllavi, dhe ashpër e kundërshtoi, me argumente.
Ka pas thënë se ‘me mini-shëngen, sovranitetin e Kosovës do t’ua kalonim vendeve fqinje, dhe se mini-shëngeni na largon nga rruga evropiane dhe na çon në strofullën euro-aziatike të dominuar nga Rusia’.

Tash, kur bëri pula ve, Isa Mustafa i përshtatet situatës dhe thotë se mini-shëngeni është ‘i mirë’, dhe se nuk e cënon sovranitetin.

Por, kësaj rradhe, kur mini-shëngeni u nënshkrua me buzëqeshje nga kipci i tij, nuk e arsyeton me asnjë argument se si ndodhi që mini-shëngeni i ‘keq’ tash u bë ‘i mirë’!
Është normale t’i ndryshosh mendimet, dhe të thuash se ke ndryshuar qëndrim, por nuk është normale të mendosh se kur të duash Ti i mashtron shqiptarët, dhe se varet prej disponimit tënd qysh vendos ti se a është ‘mini shëngeni’ i ‘mirë’ apo i ‘keq’ për ne.

Ish dasht me t’ardh marre prej moshës tënde.

2. Si Sali Berisha, që po e lanë me lot detin Jon, shkaku se Edi Rama po ia falë ‘pak det’ Greqisë, kurse në të njejtën kohë e përshëndet ‘marrëveshjen’ ku Kosova vullnetarisht e ndan Ujmanin me Serbinë.

As Sali Berishës nuk i vjen marre prej moshës.

Aq budallenj i duken shqiptarët sa që nuk e vëren se në të njejtën kohë që e kundërshton ndarjen e detit shqiptar me Greqinë, e lavdëron ndarjen e Ujmanit të Kosovës me Serbinë.

Sali Berisha është dyfytyrësh dhe për çdo ditë ‘vetëvaret’ në fjalët e tij.

3. Joe Biden nuk ‘e dinte’ çka ka në marrëveshjen e Kosovës me Izraelin, por e dinte se ‘Kosova do të duhej të ishte e pavarur e jo nën Serbi’.

Biden nuk tha ‘Kosova është e pavarur’, por tha ‘Kosova do të duhej të ishte e pavarur’.

Që do të thotë se ‘Kosova nuk është bash-bash e pavarur’, logjikisht fakti se si kur e ndajnë hisen ‘vëllezërit e një gjaku’, qeveria e Kosovës, që Avdullahu e quan ‘qeveria ime’, po e ndan pasurinë e Kosovës me Serbinë.

As udhën pranë manastirit të Deçanit nuk kanë këllqe ta ndërtojnë pa lejen e Serbisë.

Myslimanët tanë shpëtuan pa u lagur me shampanjë, qysh e ka pas dhënë fjalën Presidenti Trump.

Anipse shqiptarët janë ‘të vetmit’ myslimanë në botë që ashiqare e pinë rakinë.

Presidenti Trump dështoi ta festojë marrëveshjen e ndarjes së Kosovës me shampanjë.

Sepse, sikur të ishte arritur marrëveshja përfundimtare qysh gërvallej Grenell, nuk do të vazhdonin negociatat në Bruksel.

3. Pas faljes së tokës Malit të Zi, Ramush Haradinaj mori pjesë në ‘ndarjen’ e Ujmanit’ të ndarë’.

Mikateshat e AAK-së nuk ishin pajtuar që të ndahet Ujmani, dhe i paskan pasur dorëheqjet nëpër xhepa, por fati që Amerika nuk ua bëri punën me dhënë dorëheqje.

Dhe u pajtuan me ndarje të Ujmanit duke mos u pajtuar, tamam në stilin qesharak të Ramushit, i cili në esencë (diku në thellësi të shpirtit) nuk pajtohet, as kur pajtohet me nënshkrim që Kosova ta ndajë Ujmanin me Serbinë.

Është shumë e frikshme se si Ramush Haradinaj ka arritur deri në atë shkallë, sa që ‘çdo gjë i duket normale’.

4. Por Grenell, si autor i marrëveshjes nuk është i kënaqur me mediat amerikane, që sipas tij nuk i dhanë rëndësinë ‘historike’ marrëveshjes.

Edhe ky si Pacolli, digjet me hy n’histori. Por s’është as mjaftueshëm ‘i keq’.

Prandaj e ka problem ‘hyrjen në histori’.

Marrëveshja në Shtëpinë e Bardhë lëre që nuk ishte historike, por ishte një improvizim ‘hollivudian’ për dështimin e madh të Grenellit edhe në Kosovë.

Grenell dështoi ta ndajë Kosovën, ashtu siç u morën vesh me Hashim Thaçin, Aleksandër Vuçiqin dhe Edi Ramën.

5. Për njohjen nga Izraeli, Kosova u detyrua ta ‘ndajë’ Ujmanin me Serbinë, që edhe ashtu e ‘ndajnë’ edhe pa marrëveshje.

E njohja reciproke me Izraelin, na bën ‘probleme’ me botën arabe, që edhe ashtu i kemi ato ‘probleme’, atë ftohje dhe atë indiferencë, anipse të një feje e një Zoti me ta.

Lindja nuk e bën hesap Kosovën për shtet.

E shqiptarët myslimanë, s’di pse nuk i merr seriozisht.

Kosova ”myslimane’ u krijua nga perendimi i krishterë.

Dhe u mohua e mohohet nga Lindja myslimane.

Nuk është paradoks që Izraeli e njeh Kosovën ‘islame’, paradoks është që bota arabe nuk e njeh Kosovën ‘islame’.

Kjo s’është veç paradoks. Është edhe qesharake se si feja islame e shqiptarëve nuk u bë përshtypje arabëve.

Fesë nuk i japin përparësi arabët kur bëjnë politikë, anipse e kanë të ndaluar me fe t’i mohojnë popujt e fesë së njejtë.

Janë të obliguar me fe, me pranu Kosovën dhe me ndihmu popullin myslimanë të Kosovës.

Ndryshe, Zoti ka m’i ‘vra’.

6. Përveç tjerash, me neve u zemërua edhe Presidenti Erdogan, por kësaj radhe Erdogan u zemërua me shumë popujt në të njejtën kohë, e këtë gabim nuk e bën dikush që e ka mendjen me ‘fitu’ luftën.

Zemërimi e ka njëfarë rendi, njëfarë marifeti.

Nëse nuk e fsheh dot zemërimin, së paku mos u zemëro me shumë veta përnjëherë, se kur buburrecat njëherë ishin bërë bashkë, e kishin pas shkatërru një civilizim.

7. E Avdullah Hoti krejt ka harru që është kipci i Isës, por nuk është Isë.

Kur s’është Isë, bëhet Frojd, veç ky nuk e merr për bazë seksin për ta portretizuar psikën e dikujt.

Avdullahu ka ardhur në përfundim se Albin Kurti historikisht është ‘gabim’, kurse Vjosa është aq ‘e vonuar’ mendërisht sa që i nevojiten 3 vjet për ta kuptuar se çfarë ndodh sot.

E Kosova sot është shtet eksperimental, që shfrytëzohet nga krijuesit e saj për t’u kusuritur me ‘armiqtë’ e tyre.

Por, kështu si është, e vjedhur nga brenda dhe e ndarë nga jashtë, Kosova është ‘faktor’ falls, që i trazon ujërat e Lindjes dhe Perendimit.
Alibaba ka thënë se fallsi është më i mirë se origjinali.

P.S. Edhe Partia e turke e Kosovës ishin idhnu me neve shkaku Izraelit.

Qetësohuni se ne kemi vend në zemër për të gjithë.

Përveç tokë e ujë falas, ne kemi edhe dashuri për të dhënë për të gjitha palët në konflikt.

Dhe kjo neve na dallon prej krejt botës: kurrë askënd nuk e përjashtojmë dhe na shkon moti duke u lutur të na pranojnë.

Kosova është si Nëna Terezë-e të gjithëve, jopërjashtuese, bash si dashuria e letërsisë.