Shtetet e Bashkuara përgatiten për dhunë të mundshme ditën e zgjedhjeve

Nga Jeff Seldin, VOA

Zyrtarët e ngarkuar për sigurinë e zgjedhjeve të ardhshme presidenciale në mbarë Shtetet e Bashkuara, po marrin masa paraprake shtesë, duke u përgatitur për mundësinë jo vetëm të sulmeve të mundshme kibernetike më 3 nëntor dhe ditët që pasojnë, por edhe për dhunë të mundshme.

Paralajmërimet më të forta dhe ndoshta më të zymtat, nuk vijnë nga autoritetet federale, por nga zyrtarët shtetërorë, disa prej të cilëve thonë se fushatat dezinformuese nga shtete të huaja, mund të nxisin një sërë problemesh, që nga shqetësime të vogla e deri tek incidente shumë më të rënda.

“Vonesat në rezultatin e zgjedhjeve dhe rinumërimet mund të rezultojnë në protesta dhe përpjekje për të zaptuar zyrat e zgjedhjeve” paralajmëruan zyrtarë të Departamentit të Sigurisë në shtetin e Nju Xhersit, në një vlerësim të publikuar në fund të shtatorit.

“Incidentet e trazirave civile që rezultojnë në veprime të dhunshme dhe fatalitete do të ndërthurren me pasigurinë e zgjedhjeve, duke prodhuar konfrontime midis protestuesve dhe kundër-demonstruesve që mund të sfidojnë rezultatet e zgjedhjeve,” vë në dukje deklarata.

Shenja paralajmërimesh

Zyrtarë të tjerë shtetërorë dhe lokalë të zgjedhjeve po i marrin me seriozitet paralajmërime të tilla, veçanërisht pasi FBI-ja këtë muaj zbuloi dhe bëri të dështojë një komplot nga ekstremistët e një milicie anti-qeveritare për të rrëmbyer guvernatoren demokrate të shtetit të Miçiganit, Gretchen Whitmer.

Zyrtarët e Miçiganit thonë se po e rishqyrtojnë situatën duke pasur në vëmendje zgjedhjet dhe po planifikojnë të lëshojnë udhëzime shtesë në ditët në vijim.

Por komploti i rrëmbimit, i cili sipas FBI-së vinte në shënjestër gjithashtu edhe guvernatorin demokrat të Virxhinias Ralph Northam, nuk është i vetmi incident që ka shkaktuar alarm mes zyrtarëve shtetërorë të zgjedhjeve.

Disa zyrtarë kanë vënë në dukje gjithashtu një protestë në fund të shtatorit pranë një qendre të votimit të hershëm në qarkun Feirfaks, të shtetit Virxhinia – që shpejt u bë virale në mediat sociale.

Videoja e protestës, tregon një grup mbështetësish të presidentit Donald Trump që afrohen në qendrën e votimit me pankarta dhe flamuj, duke brohoritur, “Edhe katër vjet!”

Raportet e policisë mbi incidentin dëshmojnë se hyrjet në qendrën e votimit, një ndërtesë qeveritare e qarkut, asnjëherë nuk u bllokuan dhe zyrtarët më vonë thanë se nuk kishte asnjë tregues se ligjet ishin thyer. Por disa votues u thanë mediave se ndiheshin të frikësuar.

Përgatitje për dhunë të mundshme zgjedhore

Megjithatë, zyrtarët e zgjedhjeve në të gjithë vendin janë të shqetësuar se herë tjetër, një incident i tillë, mund të mos përfundojë aq paqësisht.

“Kjo është diçka që na shqetëson sigurisht,” tha Michael Moore, oficer i sigurisë së informacionit për qarkun Marikopa në shtetin Arizona, gjatë një forumi në internet në 23 shtator, vetëm disa ditë pas incidentit.

Këshillat e zotit Moore për zyrtarët e tjerë të zgjedhjeve ishte – përgatituni.

Policia në qarkun Ferfaks nuk pranoi të komentojë mbi ndonjë masë specifike që kanë marrë autoritetet në përgjigje të protestës, megjithëse një zëdhënës i tha Zërit të Amerikës se departamenti është “në komunikim të përditshëm, në kohë reale me partnerët në Bordin e Zgjedhjeve, qeverinë federale dhe Departamentin e Policisë Metropolitane të Uashingtonit për çdo ngjarje apo kërcënim të mundshëm.

Nga ana e tij, Departamenti Metropolitan i Policisë (DMP) ka në plan të shtojë kontrollet në zonat përreth qendrave të votimit ditën e zgjedhjeve.

“Politika e DMP-së është të sigurojë që të gjithë qytetarët në Uashington, të kenë mundësinë të votojnë në çdo ditë të caktuar zgjedhjesh,” tha zëdhënësja e departamentit Kristen Metzger, duke vënë në duke se një politikë e tillë daton që nga viti 2003.

Por, vetëm planifikimi për siguri në Ditën e Zgjedhjeve mund të mos jetë i mjaftueshëm.

Një vlerësim i përditësuar i kërcënimeve, publikuar nga zyrtarët e shtetit të Nju Xhersit paralajmëron se sa më shumë kohë të duhet për të përcaktuar rezultatin e zgjedhjeve të 3 nëntorit, aq më të mëdha janë shanset që të ketë incidente.

Në një skenar të mundshëm, që parashikon se vendi do të duhet të presë me muaj të tëra për rezultatet e certifikuara të zgjedhjeve, autoritetet këshillojnë se: “Disa shtete mund të bëhen një destinacion që grupe të ndryshme të bashkohen dhe të kryejnë protesta të dhunshme”, duke rezultuar në “konfrontime vdekjeprurëse dhe trazira civile që mund të ndodhin midis protestuesve, duke kërkuar ndërhyrjen e forcave shtetërore dhe federale të zbatimi të ligjit”.

Megjithatë, organizatat që përfaqësojnë zyrtarë shtetërorë thonë se, megjithëse një skenar i tillë tingëllon i frikshëm, anëtarët e tyre janë të vendosur të mos kapen të papërgatitur.

Megjithatë ka pikëpyetje, nëse zyrtarët shtetërorë dhe lokalë, apo qeveria federale, kanë menduar sa duhet lidhur me perspektivën e zgjedhjeve të dëmtuara nga dhuna.

Gjatë katër viteve të fundit, shumica e vëmendjes për zyrtarët e sigurisë së zgjedhjeve ka qenë e përqëndruar tek kërcënimi virtual – shqetësimet se kundërshtarë të SH.B.A.-ve mund të përpiqen të hakerojnë sisteme kritike dhe shqetësimet se operacione me ndikim të huaj do të shtrembërojnë zgjedhjet edhe para se amerikanët të përpiqen të hedhin votat e tyre.

Ndërsa zyrtarët e lartë amerikanë kanë shprehur vazhdimisht besimin se procesi i votimit do të jetë i sigurt, ata nuk janë shprehur shumë publikisht për mundësinë e dhunës në lidhje me zgjedhjet, madje edhe kur janë pyetur nga ligjvënësit.

“E vështirë të thuhet,” pohoi drejtori i FBI-së Christopher Wray para një Komisioni të Sigurisë Kombëtare në Senat në shtator, i pyetur për një rrezik të tillë.

“Sigurisht, ka një përpjekje për të mbjellë përçarje dhe trazira, dhe siç kemi parë në të gjithë vendin, veprime të tilla mund të çojnë në veprimtari të rrezikshme, të dhunshme kriminale,” shtoi ai, duke iu referuar protestave që kanë kapluar qytetet në të gjithë vendin.

I pyetur për të shtjelluar dëshminë e zotit Wray, një zyrtar i FBI-së i tha Zërit të Amerikës se, “Përgatitjet tona për vitin 2020 marrin parasysh klimën aktuale të vendit.”

“Ne jemi duke punuar ngushtë me partnerët tanë në nivel federal, shtetëror dhe lokal, në mënyrë që të gjithë personat e përfshirë në ruajtjen e sigurisë së zgjedhjeve të kenë informacionin dhe burimet e nevojshme për t’iu përgjigjur në kohën e duhur çdo shkelje që mund të ndodhë”, tha zyrtari.

Një tjetër zyrtar amerikan, duke folur në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, tha se ndërsa siguria fizike e zgjedhjeve përbën gjithmonë një shqetësim, këtë vit ka pasur një vëmendje të madhe edhe tek dhuna e mundshme, para, gjatë dhe pas Ditës së Zgjedhjeve.

Qasja e FBI-së

Në disa raste, zyrtarë shtetërorë thonë se FBI-ja ka qenë veçanërisht aktive, duke qëndruar pranë tyre në lidhje me këto shqetësime, të përgatitur për mundësinë e një shpërthimi të tensioneve politike dhe shoqërore.

“FBI-ja ka kërkuar një takim në të gjithë vendin, në mënyrë që të adresojë çështje të mundshme në qendrat e votimit në Ditën e Zgjedhjeve apo madje edhe gjatë votimit të hershëm”, u tha gazetarëve Sekretari i Shtetit të Luizianës, Kyle Ardoin, një republikan, përmes një video-konference të martën.

“Ne jemi duke bashkëpunuar me FBI-në gjithashtu në Nju Meksiko për të mbrojtur njerëzit në qendrat e votimit nga frikësimi,” shtoi Sekretarja e Shtetit Nju Meksiko, demokratja Maggie Toulouse Oliver.

Zyrtarët në shtetet e Ohajos dhe Nju Xhersit thanë se edhe ata kanë punuar me FBI-në dhe Departamentin e Sigurisë Kombëtare për shqetësimet e tyre të sigurisë.

Dislokimi i Gardës Kombëtare

Nuk ka një përgjigje apo plan të njëjtë për të gjitha rastet, pasi trajtimi për ndonjë rast dhune të mundshme ndryshon jo vetëm nga njëri shtet në tjetrin, por nga një juridiksion në tjetrin.

Në disa shtete, kjo mund të nënkuptojë dislokimin e Gardës Kombëtare.

Në disa shtete, si Nju Xhersi, anëtarët e Gardës Kombëtare tashmë janë thirrur për të mbështetur zyrtarët vendorë të zgjedhjeve me përpunimin e votave, hapa që ata i ndërmorën edhe gjatë zgjedhjeve paraprake në korrik.

Zyrtarët thonë se shtetet mund të kërkojnë nga Garda Kombëtare t’u “ofrojë siguri fizike në qendrat e votimit dhe aktivitete të tjera mbështetëse për të mbrojtur sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve”.

Dhe marrja e një ndihme të tillë mund të jetë më e lehtë falë një Grupi të Përgjigjes së Gardës Kombëtare, i vënë në dispozicion në mes të shtatorit, për të siguruar shtetet me njësi të policisë ushtarake për t’i ndihmuar ato në përgjigjen ndaj protestave të vazhdueshme që kanë përfshirë gjithë vendin.

Në se i kërkohet, ky grup mund të dislokojë deri në 600 forca nga Arizona dhe Alabama në çdo shtet tjetër në nevojë, thanë zyrtarët e Gardës Kombëtare.

Masa të tjera të sigurisë

Disa ekspertë, megjithatë, argumentojnë se thjesht shtimi i numrit të forcave të personelit të sigurisë që do tpë dislokohen, mund të mos jetë i mjaftueshëm.

“Duhet të ketë një ndërthurrje të teknologjisë së lartë dhe të burimeve të tjera” brenda dhe përreth qendrave të votimit dhe vendeve të protestave”, thotë K. Campbell, ish oficer i inteligjencës ushtarake i cili tani është një drejtor në firmën private të sigurisë “Blue Glacier Security and Intelligence”.

“Teknologjia e lartë përfshin kamera dhe sensorë të tjerë që mund të parandalojnë keqbërësit”, thotë ai, duke shtuar edhe barriera të larta që mund të ngadalësojnë këdo që kërkon të marrë pjesë në dhunë.

Zoti Campbell thotë se sa më shumë të bëjnë shtetet tani për të kuptuar kërcënimet që u kanosen, aq më mirë.

Ndërsa marrja e këtyre masave paraprake të sigurisë mund të jetë e nevojshme, disa zyrtarë shtetërorë thonë se çelësi për të ruajtur paqen më 3 nëntor dhe në ditët dhe javët që pasojnë, do të jetë nevoja për të komunikuar me publikun amerikan për rezultatet e zgjedhjeve – që ka të ngjarë të vonohet për shkak të një numri rekord të votave me postë, disa prej të cilave mund të mos dërgohen deri në Ditën e Zgjedhjeve.