Sot 10 vite nga vrasja e dy aktivistëve të VV-së (Foto)

Lëvizja Vetëvendosje sot shënon dhjetë vjetorin e protestës së organizuar kundër implementimit të planit të Ahtisarit, ku humbën jetën aktivistët Arben Xheladini dhe Mon Balaj.

Në njoftimin e VV-së për këtë datë thuhet se 10 Shkurti hyri në historinë e vonë të popullit tonë si dita kur u kundërshtua imponimi politik prej Planit të Ahtisaarit dhe ku u shpreh vullneti popullor për liri e pavarësi.

VV thotë se 10 shkurti madhështohet edhe nga fakti që kombit tonë i dha dëshmorët për liri, Arben Xheladini dhe Mon Balaj.

Dy aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Xheladini dhe Mon Balaj, derisa protestonin kundër negociatave të Kosovës me Serbinë dhe Pakos së Ahtisaarit, u vranë më 10 shkurt nga Policia rumune e UNMIK-ut, 10 vite më parë.

Në kuadër të 10 vjetorit të vdekjes së tyre, lëvizja Vetëvendosje! bën homazhe tek varri i Mon Balajt në Podujevë nga ora 10:00, shkruan Indeksonline.

Tutje, do të vazhdojnë me homazhe tek varri i Arben Xheladinit te varrezat qytetit në Prishtinë nga ora 11:30.

VV në kujtim të kësaj proteste, bën homazhe te Pllaka Përkujtimore në sheshin ‘Nëna Terezë’ në Prishtinë, ora 12:30, pastaj hap ekspozitën me fotografi për protestat e 10 shkurtit 2007 te Ateleja e Pallatit të Rinisë, ora 13:00.

Për ta përmbyllur këtë ditë, Lëvizja Vetëvendosje! organizon tribunë me temën ‘Plani i Ahtisaarit dhe tezat e Vetëvendosjes!, te Salla e Kuqe të Pallatit të Rinisë, nga ora 14:00.