Sulmohet “New York Times”, dyshohen rusët

Zyra Federale e Hetimeve (FBI) ka nisur një hetim pas dyshimeve se hakera rusë kryen një seri sulmesh kibernetike ndaj gazetës “New York Times”.

Zyrtarët amerikanë besojnë se pas sulmeve që kishin në objektiv gazetarë individualë, mund të jetë inteligjenca ruse.

Gjithsesi, hetuesit nuk besojnë të jetë prekur i gjithë rrjeti i gazetës, diçka që mbështetet edhe nga zëdhënësi i “New York Times”, që tha se sistemet e brendshme nuk janë prekur.

Në një komunikatë, “New York Times” bën me dije se nuk ka prova që sistemet e brendshme të jenë dëmtuar, përfshirë zyrën e gazetës në Moskë, përcjell opinion.al.

Sulmet ndaj “New York Times” u bënë publike nga televizoni CNN, i cili sugjeron se agresionet kibernetike vijojnë prej muajsh.

Nuk është i qartë motivi i tyre apo sa reporterë janë prekur, por dyshohet se bëhet fjalë për të njëjtët piratë informatikë që sulmuan Partinë Demokratike amerikane.

Sipas ekspertëve, sulmet e fundit ndaj gazetës amerikane janë mjaft shqetësuese, pasi për të mos rënë në sy, hakerat nuk sulmuan sistemin kompjuterik të “New York Times”, por gazetarë individualë dhe ky është një trend i ri i piraterisë informatike.