Thaçi i shqetësuar nga paralajmërimi i Listës Serbe për rrëzimin e Qeverisë

Shefi i shtetit i ka paralajmëruar partnerët qeverisës se mund të përballen me probleme të mëdha pas pozicionimit të ri të Listës Serbe, që përmes një komunikate ka bërë të qartë se do të sillet si opozitë në Kuvendin e Kosovës

Presidenti Hashim Thaçi e ka pritur me shqetësim paralajmërimin e Listës Serbe se do të sillet si opozitë në Parlamentin e Kosovës dhe do të mbështesë çfarëdo mocioni për rrëzimin e qeverisë aktuale që udhëhiqet nga Ramush Haradinaj.

Në një prononcim për Klan Kosovën presidenti ka nënvizuar se nëse kjo qeveri në këtë format tregohet e paaftë për të funksionuar, për ta ruajtur vazhdimësinë dhe qëndrueshmërinë instucionale, mund të kemi një ristrukturim të partnerëve qeverisës – rrjedhimisht një qeveri tjetër.

Të premten, përmes një komunikate për media, Lista Serbe e ka paralajmëruar qeverinë se nëse nuk hiqet taksa prej 10% në të gjitha produktet serbe që hyjnë në Kosovë, atëherë votat e saj do të jenë në mbështetje të një mocioni mosbesimi.

Meqenëse votat e këtij subjekti politik janë të domosdoshme për ta mbajtur funksional koalicionin qeverisës në këtë konstelacion, shefi i shtetit ka kërkuar që të kihet kujdes dhe të mos rrezikohet stabilitetit institucional, si pasojë e veprimeve të pamatura.

Qeveria Haradinaj është nën presion të madh për shkak të mungesës së votave, madje edhe të kuorumit në shumicën e seancave në kuvend, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ka kohë që ka paralajmëruar një mocion mosbesimi, për ta rrëzuar dhe çuar vendin në zgjedhje, ndaj akoma më të vështirë vijimësinë e saj e bën pozicioni i ri i Listës Serbe.

Taksa shtesë prej 10% në të gjitha produktet serbe që importohen në Kosovë, u vu pas një vendimi të qeverisë, para tre ditësh, me arsyetimin se paraqet kundërveprim për fushatën agresive që po bën Serbia kundër Kosovës në rrafshin ndërkombëtar.

Lini Një Koment