Thaçi:Qytetarët atje lëvizin më lirshëm se kurdoherë

Sakte .net 03 Shtator 2016 13:38

Presidenti i vendit Hashim Thaçi nëpërmjet rrjetit social facebook  ka treguar për vizitën që ia ka bërë pikës kufitare në Jarinjë, në pjesën veriore të Kosovës.ku thotë se përmes kësaj vizite ishte dëshmitar i konsolidimit të shtetit  dhe i përmirësimeve që sjell qasja e tyre e promovimit të dialogut dhe bashkëpunimit.

Postimi i Thaçit në Facebook:

Këtë javë vizitova pikën kufitare në fshatin Jarinjë, në pjesën veriore të Kosovës, ku edhe një herë isha dëshmitar i konsolidimit të shtetit tonë dhe i përmirësimeve që sjell qasja jonë e promovimit të dialogut dhe bashkëpunimit. Ata që një kohë ishin në barrikada dhe pengonin lëvizjen e lirë, sot janë pjesë e institucioneve të Kosovës ku kontribuojnë për komunitetet e tyre, por edhe për tërë Kosovën. Sot, Policia e Kosovës dhe Doganat e Kosovës punojnë krejt normalisht edhe në pikat kufitare në pjesën veriore të Kosovës, si në çdo pjesë të Kosovës. Qytetarët atje lëvizin më lirshëm se kurdo. Ky integrim dhe ky normalizim i gjendjes në pjesën veriore të Kosovës është arritur falë dialogut dhe bashkëpunimit që promovojmë në Kosovë.

Në pikën kufitare në Jarinjë takova oficerë të policisë dhe të doganave të të gjitha etnive, që me uniformën e shtetit të Kosovës punonin me zell dhe me përkushtim për t’u shërbyer qytetarëve të vendit tonë. Për këtë sukses, Polica e Kosovës dhe Doganat e Kosovës e meritojnë respektin dhe mirënjohjen më të lartë.

Kënaqësi jepte edhe natyra e bukur, pasuri e çdo ane të Kosovës. Por, ishte e dhimbshme të shihje se fshatrat dhe vendbanimet kishin mbetur prapa në zhvillim krahasuar me pjesët e tjera të vendit tonë. Është ky një mësim tjetër i dëmeve që sjell ekstremizmi dhe nacionalizmi. Kjo pjesë e Kosovës ka nevojë për sa më pak politikë dhe për sa më tepër zhvillim. HTH