Tragjedi në Itali, 3 zhytës gjenden të mbytur në det

Tre zhytës profesionistë kanë humbur jetën gjatë ditës së sotme, teksa eksploronin në ujërat e Palinuoros, në Itali. Viktima të kësaj tragjedie janë Mauro Kamardela, drejtues i klubit të zhytësve “Mauro Sub”, Mauro Tankredi, njohës i mirë i thellësive të ujit në zonën ku ndodhi tragjedia dhe zhytësi Silvio Anzola nga Milano.

Tre zhytësit kanë hyrë në ujërat e Palinuoros rreth orës 10.00 të mëngjesit të sotëm, bashkë me një grup prej 9 personash të tjerë. Ata nuk kanë dalë në breg siç ishte planifikuar dhe autoritetet u vunë në kërkim të tyre. Pasi u bënë 3 orë kërkime, trupat e zhytësve janë gjetur në një gropë të thellë. Trupat e tyre u gjetën rreth 50 metra në thellësi, në vendin e njohur si Punta Jako, transmeton ANSA.

Ende nuk dihen shkaqet e kësaj ngjarjeje, por autoritetet kanë disa pista. Eksperti i zhytjeve, David Gallo tha se zhytësit mund kenë hyrë thellë në ujëra. Ai shtoi se në përpjekje për të ndihmuar njëri-tjetrin, ata janë mbytur. Për Gallon, mundësi mund të jetë edhe problemet me mbushjen e bombolave të gazit. Kjo nuk është hera e parë që Italia përjeton tragjedi të tilla. Katër vjet më parë, katër zhytës humbën jetën në det. Ata u mbytën po në Palinuro.