Trashëgimia komuniste në Ballkan dhe organizmat e përbashkëta tej-kufitare të shoqërisë civile (II)

Sakte.net / E shtune, 15 Tetor 2016  –  10:01

MA.Ridvan EMINI

Duke gjetur motivin në ‘Pranverën e Pragës’, shoqëritë civile do të shpërfaqen më haptazi duke motivuar organizime politike si dhe kërkesa politike të cilat kishin heshtur për një çerek shekulli. Gati si një kopje në emër në Zagreb do të lind organizimi i quajtur ‘Pranvera Kroate’. Ky organizim i vitit 1973 në Zagreb, u paraqit si një kombinim i kërkesave civile dhe kërkesave politike të cilat synonin më shumë identitet kroat në Jugosllavi. Referuar në mediat e atëhershme jugosllave në mënyrën se si ato raportonin, krijohet përshtypja që ajo çfarë ndodhi në Prishtinë në vitin 1968 si dhe ajo çfarë ndodhi në Zagreb në vitin 1973, ishin disa kërkesa nacionaliste të cilat hasën në vesh të shurdhër, por megjithatë zhvillimet e mëvonshme politike në praktikë flasin se, ndodhi një decentralizim më i madh i pushtetit në federatë, rrjedhimisht me këtë qendra politike e Beogradit pjesërisht do të shkarkohet nga monopoli i vendimmarrjes politike, kurse  Federata Jugosllave do të shndërrohet në një shtet  me një tendencë të fuqishme policentrike gjë që do të vërehet sidomos në raportet Beograd-Zagreb, Beograd- Lublanë dhe Beograd-Prishtinë.

Qendrat do të fitojnë më shumë fuqi në raport me Beogradin, dhe kjo nuk do të jetë thjeshtë në relacionet politike, por do të ketë impaktin e saj edhe në sferat e botës kulturore. Pikërisht kultura dhe arti do të jenë për më shumë se një dekadë fronti kryesor ku shoqëria civile do të gjejë hapësirën për të kërkuar më shumë liri. Në këtë aspekt Sarajeva do të shndërrohet në një kryeqytet të pashpallur të muzikës Rok, dhe ku shoqëria civile do të përçoj mesazhe të qarta  me anë të teksteve të këngëve. E gjitha kjo në esencë po sfidonte monopolin komunist, e sidomos po kundërshtonte këndvështrimet e ngurta të cilat Moska ishte përpjekur të imponoj në gjithë Evropën komuniste, përfshirë edhe qëndrimet ndaj muzikës perëndimore.

Në rrafshin zyrtarë të pushtetit real partitë komuniste në Evropën Lindore mbeteshin pushteti i pa-kompromistë, por që po sfidoheshin nga shoqëritë civile, ku këto të fundit manifestonin kërkesat qoftë edhe të kamufluara si në rastin e Rok muzikës që po zhvillohej në Jugosllavi. Përgjithësisht fuqizimi i rolit politik të akterëve të tjerë përveç shtetit shkaktuan dhe vazhdojnë të shkaktojnë evoluimin e shoqërisë civile në marrëdhënie ndërkombëtare. Zhvillimet teknologjike, të cilat po thjeshtëzojnë komunikimin dhe po e zhbëjnë distancën gjeografike si barrierë në komunikim, po mundësojnë një logjistikë më të mirë për bashkëveprimin ndërkufitarë të shoqërisë civile. Në vet marrëdhëniet ndërkombëtare, shoqëritë civile po bëhen një akter i fuqishëm dhe kjo nuk i përket vetëm zhvillimeve të fundit në skenën botërore, por gjejnë hapësirë qysh në shekullin e kaluar. Me shfaqjen e nazizmit në Evropë, ishin krijuar  edhe shenjat e para të organizimeve civile anti-naziste, të cilat ose nuk kishin mbështetjen e shteteve ku vepronin ose madje po vepronin në ilegalitet.

Pas Luftës së Dytë Botërore, kërkesat e shoqërive civile do të jenë shumëdimensionale dhe do të prekun probleme të lloj-llojshme. “Greenpeace” është një shembull i një veprimi civil, i cili nuk lidhet për një shtet të caktuar, si dhe ka një hapësirë vepruese në kuadër të një sistemi ndërkombëtarë global dhe pavarësisht se motivacioni i kërkesave ka të bëjë me aspektet ambientale, godet fuqishëm struktura politike në vende të ndryshme. “Greenpeace” është shembull i një organizimi civil  i cili  mund të vështirësoj vendimet politike kudo, kurse benifitet ambientale  me një automatizëm shtrihen në shumë shtete. Pasiguria për qeveritë vjen duke u shtuar pikërisht nga këto organizime civile gjë që fuqizon shoqërinë civile në përgjithësi, ngase monopoli i vendimmarrjes, del nga sferat e strukturave politike e gjithnjë e më shumë po përfshinë edhe konsultimin me shoqërinë civile.

Një aspekt tjetër ku shoqëria civile gjenë rolin e saj të posaçëm në bashkëpunimin tej-kufitarë  janë hapësirat e dala nga lufta, ku sërish Evropa Juglindore shfaqet si një shembull interesant për tu studiuar. Pavarësisht luftërave të përgjakshme që ndodhën në ish jugosllavi, janë shoqëritë civile të parat të cilat shtrinë dorën e pajtimit, e madje edhe iniciuan procesin e kërkim faljes. Regjimi i Millosheviqit, sa i përket dhunës që ushtroi ndaj popujve të tjerë, nuk u dënua asnjëherë qartë nga pushtetet e mëvonshme në Serbi. Megjithatë, grupe të dala nga shoqëria civile, si në rastin e organizatës “Gratë në të Zeza” thyen mitin enjë qëndrimi nacionalist të uniformuar serb dhe dënuan haptazi gjenocidin e Srebrenicës, duke i bërë me dije edhe vet opinionit serb se fjala e lirë nuk mund të mohohet. Qëndrimi i organizatës “Gratë në të zeza” gjithashtu zbuti qëndrimet në shtetet për rreth dhe hapi derën e largimit të fajit kolektiv nga populli serb si një tërësi. Kështu, këto segmente të shoqërisë civile në Beograd, delegjitimizuan pjesërisht veprimet e regjimeve në Beograd, kurse këto regjime vazhdimisht kanë arsyetuar dhunën duke cilësuar si një proces i lindur nga kërkesat e popullit. Regjimet diktatoriale për gjatë historisë, kanë shfajësuar vetën e tyre duke u kamufluar në gjoja kërkesa popullore.

Koha e tranzicionit të turbullt pas luftërave në Evropën Juglindore solli bashkëpunimin tej- kufitarë ndërmjet shoqërive civile në një format të ri, edhe pse të izoluar sërish në nivele serioze dhe me ndikim në masa. Kur në Sarajevë u organizua “Forumi Intelektual” për të debatuar për veprën e filozofit Radomir Konstantinoviq, intelektualët që po vinin nga vendet e ndryshme e që në thelb ishin përfaqësues të shoqërisë civile, shpërfaqën edhe njëherë faktin se zëri i shoqërisë civile ishte i mohuar dhe i larguar nga mediat. Por, nuk kishte reshtur asnjëherë duke paralajmëruar për një kohë të keqe e cila do të vjen duke aluduar në paralajmërimin që Konstantinoviq bënte për politikën provincialiste dhe ku ai edhe pse nuk ishte në gjendje të precizonte se kurora e kësaj politike do të vinte me regjimin e Millosheviqit, e adresonte qartë rezultatin final të kësaj politike. Kjo shoqëri civile e cila po vepronte nën shtypjen e një regjimi monist ishte opozita që vazhdimisht po e kërcënonte këtë regjim. Por, duke qenë se një shoqëri civile si në rastin e Evropës së dikurshme komuniste po vepronte brenda monopoleve njëpartiake në pushtet, asaj i imponohet fati i një motori promovues të pluralizmit politik.