Tre vizionet e europianëve që mund të shpërbëjnë BE-në

Udhëheqësit e BE-së nuk kanë qenë kurrë më të përçarë mbi atë që do të jetë natyra e projektit Europian, tashmë që Merkel, Makron e Orban, janë të ndarë për çështje tepër thelbësore.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, paralajmëroi të enjten se e ardhmja e BE-së varej nga gjetja e një përgjigjeje për emigrimin. Por sado e vështirë të jetë çështja e emigrimit, mbetet vetëm një nga shumë sfidat e ndërlikuara që po has BE-ja, vendet e të cilës janë ndarë në “llogore” të ndryshme, të krijuara dhjetëvjeçarin e fundit e që po thellohen çdo ditë e më shumë.

E ardhmja e projektit të Bashkimit Europian varet jo vetëm nga suksesi i BE-së për të menaxhuar refugjatët në Mesdhè, por edhe nga aftësia e saj për t’u pajtuar mbi idenë se si duhet të jetë Europa.

Kjo shkon përtej çështjeve të euros dhe krizës së refugjatëve, të cilat janë kthyer në probleme akute, pothuajse njëkohësisht, gjatë muajve e fundit; probleme që kanë ndarë Europën në linja të ndryshme politike e gjeografike. Për të dyja çështjet, vendet anëtare janë ndarë në koalicione të ndryshme. Për shembull, nëse Greqia dhe Italia u bashkuan kundër Gjermanisë për krizën e euros, tani janë në të njëjtën anë për emigrimin, edhe pse në Greqi dhe Itali kanë ardhur populistët në pushtet.

Nga këto përplasje kanë dalë tre vizione që bien ndesh me njëra-tjetrën:

1. Vizioni i parë është ideja e Merkelit për një Europë konkurruese. Nën udhëheqjen e saj, që kur nisi kriza e vitit 2010, BE është kthyer në një mjet që imponon disiplina tregu ndaj vendeve anëtare. Në emër të kësaj ideje, të udhëhequr nga Gjermania, vendeve të eurozonës që hynë në borxhe u janë imponuar masa shtrënguese.  Me pak fjalë, edhe pse është shprehur në terma pro-europianë dhe përfshin integrim të mëtejshëm, në thelb ky është një vizion neoliberal.

2. Vizioni i dytë është ai i presidentit francez, Emanuel Makron. Ai ka hedhur idenë e një Europe që mbron. Makroni përfytyron një BE që ka më shumë solidaritet midis qytetarëve dhe midis vendeve anëtare. Nga ana praktike, kjo do të thotë që rreziqet duhet të ndahen më shumë midis vendeve në Eurozonë, ajo që druajnë më shumë Gjermania dhe kredidhënës të tjerë. Ky vizion për Europën është i qendrës së majtë,  edhe pse Makroni perceptohet në Francë si neoliberal, ngaqë ka vënë në zbatim reforma strukturore që synojnë të marrim besimin e Berlinit.

3.Vizioni i tretë është i kryeministrit hungarez, Viktor Orban. Ideja e tij është të kenë një Europë të krishterë e me shtete sovrane. Ky vizion lindi si përgjigje ndaj kërkesës së Gjermanisë që synonte t’i detyronte vendet anëtare të pranonin kuota të detyrueshme refugjatësh në vitin 2015. Por kjo ka sjellë kritika të tjera të projektit Europian. Orbani e quan veten “demokrat liberal”, kundërshtar i asaj që ai e konsideron “liberalizëm antidemokratik” në Europë. Vizioni i tij është pranuar jo vetëm nga partia “Ligj dhe Drejtësi”, që qeveris tani Poloninë, por edhe nga partitë e djathta në vende të tjera të BE-së.

Si udhëheqësit e qendrës, ashtu dhe populistët, e shohin këtë si një luftë midis liberalizmit dhe iliberalizmit. Po realiteti është edhe më i rrëmujshëm. Kjo vjen pasi, pavarësisht qëndrimeve të kundërta mbi emigrantët, Kristian-Demokratët “liberalë” të Merkelit janë në Parlamentin Europian në të njëjtin grup parlamentar me “iliberalen” Fidesz të Orbanit, në “Partinë e Popujve Europiane”, të qendrës së djathtë. Diku midis tyre janë kristian-demokratët e Bavarisë, të drejtuar nga Horst Seehofer, i cili ka kërcënuar të rrëzojë qeverinë e Merkelit nëse ajo nuk i afrohet më shumë vizionit të Orbanit.

Megjithatë, ndryshimet midis tre vizioneve janë reale. Kur Makroni mori çmimin “Karli i Madh” në Aachen, këtë maj, ai e shtoi presionin ndaj Merkelit, e cila nuk i ishte përgjigjur thirrjeve të tij për një reformë të eurozonës. “Në Gjermani nuk mund të ketë fetishizma për suficite tregtare e buxhetore, sepse i kanë arritur mbi kurrizin e të tjerëve”, tha ai. Pasi e dëgjoi, Merkeli tha që mund të gjenin pika të përbashkëta, pavarësisht mendimeve të ndryshme. “Kjo është magjia e Europës”, deklaroi ajo. Por Orbani e quajti idenë e një Europe më të integruar si “makth”.

Dy javë më parë, Merkeli iu përgjigj më në fund Makronit dhe pranoi të bëjnë një rikthim të marrëdhënies franko-gjermane, si motor për BE-në. Por deklarata e Mesebergut u pa si zhgënjim. Lëshimi që bëri Merkeli nuk do ta ndryshojë shumë qëndrueshmërinë e monedhës së përbashkët. E madje, edhe këto lëshime, u kundërshtuan menjëherë nga vende të tjera të Europës veriore, të cilat e kundërshtojnë vizionin e Makronit edhe më fort se Gjermania.

Rreziku është që ndryshimi midis tre vizioneve do ta bëjë BE-në jo-funksionale, duke i përkeqësuar pasojat. Javën e shkuar,qeveria e re italiane, një koalicion “kundër sistemit”, midis 5 Yjeve dhe Legas, u shfaq aq e stresuar që nuk po përparonin dot me emigrimin, sa refuzuan të nënshkruajnë përfundimet e Këshillit Europian. “Nuk mund të biem dakord për diçka nëse nuk biem dakord për gjithçka”, tha një zyrtar italian.

Italia, e cila është tani në qendër të dy krizave, asaj të euros dhe të refugjatëve, njësoj si Greqia dikur, mund të jetë çelësi për të zgjidhur përplasjen midis vizioneve. Ka grupe mes shoqërisë italiane që mbështesin secilin vizion. Shumica e qendrës së djathtë në Itali, që e ka mbështetur gjithnjë integrimin e Europës dhe euron si një mënyrë për të vendosur disiplinë të jashtme në vendin e tyre, mbështet vizionin e Merkelit për një Europë konkurruese. Qendra e majtë italiane mbështet vizionin e Makronit për një Europë që mbron. Ndërsa Lega ndan pak a shumë të njëjtat vlera si partia e Orbanit, kundër emigrantëve.

Secili vizion është përgjigje ndaj rritjes së euroskepticizmit në zona të ndryshme të kontinentit, një përpjekje për të rilidhur BE-ne me qytetarët e vet. Problemi nuk është se vizionet nuk përputhen. Problemi është se ajo që do të ulte euroskepticizmin në jug të Europës, do ta rriste në veri, dhe anasjelltas. Po njësoj, çfarë do ta ulte euroskepticizmin në lindje, do ta rriste në perëndim, dhe anasjelltas. Pyetja është nëse ka ndonjë mënyrë për të dalë nga kjo situatë ku çdo fitore e njërës palë është humbje e një pale tjetër.

Hans Kundnani, the Guardian

Lini Një Koment