Universiteti Shtetëror i Tetovës mbush 22 vjet

Sot me datë 18 dhjetor 2016, Universiteti Shtetëror i Tetovës feston 22 vjetorin e themelimit.

Ky institucion u themelua më 17 dhjetor të vitit 1994 si iniciativë e intelektualëve shqiptarë, të shoqatave dhe asociacioneve të ndryshme apolitike dhe të gjithë dashamirësve të arsimit të lartë në vend dhe më gjerë.
Ky institucion arsimor ka kaluar dy periudha të rëndësishme.

-Periudha: 1994-2003 është koha historike e krijimit të Universitetit të Tetovës

-Periudha: 2004-2010 është periudha e zhvillimit institucional të Universitetit dhe koha e modernizimit akademik dhe fizik.

Universiteti nga gjendja e emergjencës filloi të kalojë në shkallën e reformimit akademik, konceptual dhe institucional. Fryt i këtij aktiviteti të pakursyer dhe i dimensionimit është fizionomia e re e USHT-së.
Së këndejmi USHT-ja është afirmuar si një institucion universitar i reformuar, si një qendër e vetme publike në gjuhën shqipe në Maqedoni për kualifikim, specializim dhe kërkim shkencor. USHT-ja është anëtar i Konferencës së Universiteteve evropiane.
Sot USHT-ja është strukturuar në 11 fakultete, 35 programe studimore, 93 drejtime studimore dhe 3 Institute hulumtuese shkencore.