Vazhdon bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe EULEX-it

Sakte.net/ E Premte- 16 Shtator 2016 / 12:50

Ministrja e Drejtësisë pritë në takim Shefen e re të Misionit të EULEX-it në Kosovë

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha priti në takim njoftues Shefen e re të Misionit të EULEX-it në Kosovë, Alexandra Papadopoulou e shoqëruar nga zëvendës shefi i Misionit Bernd Thran dhe udhëheqësja e zyrës ndërlidhëse Elaine Paplos.

 Në një njoftim të lëshuar për media thuhet se, Ministrja Hoxha uroi Papadopoulou për detyrën e re, njёherit shfaqi përkushtimin për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit në mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Misionit të EULEX-it.

Në takim, Papadopoulou shfaqi qëndrimet e Misionit të EULEX-it për vazhdimin e bashkëpunimit dhe koordinimit me institucionet e Kosovës. Poashtu siç thuhet në njoftim, ajo shfaqi mirënjohje për punën e bërë në sektorin e drejtësisë, në luftë ndaj dukurive negative dhe korrupsionit. Papadopoulou vlerësoi lartë punën e bërë nga Ministria e Drejtësisë në mënyrë efektive, të paanshme, dhe korrekte në mbrojtje dhe respektim të pavarësisë së gjyqësorit, thuhet tutje në njoftim.

Ndërkohë ministrija Hoxha, kërkoi që bashkëpunimi i deritanishëm të intensifikohet edhe më tej si në përforcimin e infrastrukturës ligjore, përmirësimin e fushës së sundimit të rendit dhe ligjit, po ashtu edhe në luftën kundër korrupsionit. Të dyja palët vlerësuan se bashkëpunimi në sferën e infrastrukturës ligjore, në ngritjen e kapaciteteve, si dhe koordinimi dhe bashkëpunimi i brendshëm, janë tejet të rëndësishme si në efikasitetin e punëve ashtu edhe në ngritjen e besimit të qytetarëve për sistemin e drejtësisë, thuhet në fund të njoftimit.