“Vettingu”rikthehen tensionet politike PD-PS

23 Gusht 2016 – Sakte.net 17:06

Komisioni i Posaçëm për Reformën në Drejtësi kaloi ligjin për “Vettingun”, ligji më i rëndësishëm i reformës në drejtësi dhe ku maxhoranca dhe opozita u përplasën më fort. Ligji u kalua vetëm me votat e maxhorancës, ndërsa opozita abstenoi për votimin në parim dhe votoi kundër për disa nene.
“Opozita këmbënguli në qëndrimin e saj dhe në asnjë nen gjatë diskutimit, opozita nuk bëri ndonjë akuzë që ky nen apo ai nen shkel dispozita kushtetuese. Ishin detaje të një karakteri shumë teknik. Opozita nuk mori pjesë në votim, duke qenë e pranishme në Komision”, deklaroi në dalje, përfaqësuesi socialist në Komision, Pandeli Majko.
Majko, që ishte edhe relatori, tha se maxhoranca ka miratuar të gjitha vërejtjet e Partisë Demokratike që kanë marrë më parë dritën jeshile nga misionet ndërkombëtare, OPDAT i Shteteve të Bashkuara dhe Euralius i Bashkimit Europian.
“Të gjitha vërejtjet e Partisë Demokratike që patën konsensusin e ndërkombëtarëve u miratuan nga maxhoranca. Kërkuam mirëkuptimin e opozitës, që në të gjithë procesin e komenteve, të kihej parasysh parimi që do të pranonim të votonim gjithçka që ndërkombëtarët do të pranonin. Sot janë pranuar të gjitha komentet e pranuara nga Euralius dhe OPDAT”, u shpreh ai.
Por përfaqësuesi demokrat, Oerd Bylykbashi, tha se ligji bie ndesh me Kushtetutën e miratuar më 22 korrik. Ai tha se amendamentet e opozitës u rrëzuan pa asnjë argument dhe shtoi se Partia Demokratike do të ndjekë të gjithë rrugën ligjore kundër projektit të kaluar, duke mos përjashtuar këtu as Gjykatën Kushtetuese.
“Ky projektligj është antikushtetues dhe nuk do t’i qëndrojë dot testit të kushtetuetshmërisë.  I rezervojmë vetes që të ndërmarrim hapa të tjerë legjislativë për këtë ligj,  çdo instrument për të garantuar që ky ligj përputhet dhe nuk shmanget nga vullneti konsensual i 22 korrik. Ky ligj sot devijon rëndë nga Kushtetuta”, tha Bylykbashi.