VIDEO/ Ish-gruaja e Zhidros, akuza medias e policisë: Do më jepni llogari…

Një ditë pas ekzekutimit nga policia të 71-vjeçarit Lefter Zhidro, pas disa orësh përplasje me armë me uniformat blu, gjendja psikologjike e ish-bashkëshortes Floresha Zhidro paraqitet e rënduar.

Para dyerve të banesës së saj ajo ka shpërthyer me akuza ndaj policisë dhe mediave, duke u kërkuar këtyre të fundit që të largojnë kamerat nga shtëpia e saj.

“Do më jepni llogari për atë që keni shpifur, do më jepni llogari për atë që keni shkruar në media. Të mos ju shoh këtu me kamera. Nuk erdhët kur ishte për të ardhur, erdhët sot. Ikni kërkojani shtetit drejtësinë” ulëriti ajo.

Forcat RENEA ekzekutuan 71 vjeçarin në banesën e ish bashkëshortes së tij në Elbasan.

Operacioni i nisur në orën 13:20 minuta u përfundua në orën 18:05 minuta të 24 shtatorit 2020.

Ndryshe Lefter Zhidro u ekzekutua dje nga RENEA pasi refuzoi negociatat duke qëlluar disa herë me breshëri automatiku në drejtim të tyre pavarësisht tentativave për ta neutralizuar në forma të tjerë.

71-vjeçari u qëllua me një plumb në kokë nga një snajper duke bërë që të mos kishte më rrezik për banorët e pallatit dhe zonës pasi i moshuari kishte në vendin ku qëndronte disa kallëpe tritoli, gati për shpërthim.

 ABC ka intervistuar vëllain e viktimës, Thanasin, i cili kishte ardhur nga Saranda në morgun e Elbasanit për të tërhequr trupin e viktimës.
“Jam Thanas Zhidru, vëllai i Lefter Zhidrut. Nuk dinim asgjë nga këta gjëra këtu, e dinim që ishte mirë me familjen e tij, me gruan dhe vajzën. Dhe u habitën dje kur e pamë në televizor. Ai nuk ka pasur të bëjë fare asnjëherë me armë apo gjëra. Ka 15-20 vjet në Elbasan dhe as nuk ngacmoi njeri apo ta ngacmonte njeri. Kaloi 1997-ën dhe nuk pati asnjë problem,” tha ai

A ju ka shfaqur ndonjë problem?

Para katër ditësh ka komunikuar motra ime dhe më tha se ishin shumë mirë. Më tha që kishte folur me vëllanë, nusen dhe vajzën. Kishin folur në telefon, ishin duke qeshur. Edhe motra ime vuri duart në kokë dje dhe gjithçka është enigme. Ai ka qenë shumë i duruar me njerëzit.

Ku mund ta ketë gjetur armën?

Nuk e di, kjo puna e armës mua s’më hyn fare në tru. Nuk di të them për këtë. Nuk ka pasur kundërshtarë këtu dhe nuk ka ngacmuar njeri.

Bashkëshortja kur ka shkuar në polici ka deklaruar se nuk kishte armë në shtëpi?

Nuk mund të them asgjë. Të jetë ndonjë lojë? Asnjëherë s’ka pasur armë.

Ka katër djem dhe vajzën pesë. Vajzën e ka me këtë gruan. Ka pasur një fat të keq. Ka pasur një djalë me gruan e parë, ajo u sëmurë, vdiq. U martua me një tjetër dhe patën tre djem. Kjo ishte martesa e tretë.

Për mua ishte punëtor që nuk kishte kohë që të merrej me këto gjëra. Nuk ka pasur punëtor si Lefteri.

© SYRI.net