Viola Von Cramon-Taubadel: BE-ja të mos i ndryshojë rregullat e lojës, por t’i liberalizojë vizat për Kosovën

Deputetja gjermane në Parlamentin Evropian dhe raportuesja për Kosovën në këtë institucion, Viola Von Cramon-Taubadel në një intervistë për Gazetën Express ka folur rreth taksës 100 për qind, përfshirjen direkte të Emisarit Special Richard Grenell në dialogun Kosovë-Serbi, dhe vendimmarrjen nga ana e BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Europarlamentarja është shprehur se kryeministri Kurti ka bërë hap pozitiv me propozimin për heqjen e pjesshme të taksës dhe tani është radha e Serbisë që të shfaqin vullnet të mirë për të lëvizur përpara. Deputetja e PE, ka thënë se taksa 100 për qind është duke i dëmtuar të dyja  palët.

Raportuesja për Kosovën e cila ishte edhe kryesuese e misionit të BE-së për monitorimin e zgjedhjeve të 6 tetorit në Kosovë, ka thënë po ashtu se BE-ja është dashur që të heq vizat për kosovarët para një viti e gjysmë. Eurodeputetja Von Cramon, është shprehur se Bashkimi Evropian nuk duhet të ndryshojë rregullat lojës sa i përket liberalizimit të vizave, pasi Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret.

Gazeta Express: Cili është mendimi juaj për përfshirjen e z.Richard Grenell në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe për refuzimin e tij që ta pranojë largimin e taksës nga kryeministri Albin Kurti për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, duke thënë se kryeministri i Kosovës është duke bërë një gabim serioz?

Viola Von Cramon: Ne të gjithë duhet të kuptojmë se hapi i Kurtit është një sinjal i rëndësishëm që ai është i gatshëm të lëvizë përpara dhe se dëshiron të ketë marrëdhënie më të mira. E shoh këtë si një hap pozitiv dhe tash duhet ta presim reagimin e Serbisë. Kurti e bëri një ofertë, diçka në të cilën mund të punohet. Përfundimisht, taksa është duke i dëmtuar të dyja palët, prandaj nuk është në interesin e askujt që ajo të mbahet për më gjatë. Në anën tjetër, në fund të fundit, kjo ishte vetëm një reagim pas fushatës së Vuçiqit për çnjohje. Prandaj, nëse Beogradi dëshiron të lëvizë përpara, edhe ata duhet të shfaqin ca vullnet të mirë.

Gazeta Express: Kryeministri Kurti ka thënë se heqja e taksës është një shenjë e vullnetit të mirë nga Kosova dhe tash BE-ja duhet ta largojë regjimin e vizave para Samitit të Zagrebit (që mbahet në maj të vitit 2020). A mendoni se Bashkimi Evropian duhet që më në fund ta heqë regjimin e vizave për qytetarët e Kosovës?

Viola Von Cramon: BE-ja do të duhej ta hiqte regjimin e vizave para një viti e gjysmë, kur Kosova i plotësoi të gjitha kriteret. Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian e kuptojnë këtë, vetëm shtetet anëtare po e ndalojnë këtë proces dhe shpresoj që të lëvizim përpara sa më shpejt që është e mundur, ndoshta edhe para Samitit të Zagrebit.

Gazeta Express: A mendoni se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet e caktuara nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave?

Viola Von Cramon: Natyrisht, ato kanë qenë kërkesa teknike, nuk ka hapësirë për ushtrimin e diskrecionit nga shtetet anëtare. Për më tepër, nuk do të ishte e drejtë që të ndryshohen rregullat e lojës në mes të lojës. Kosova i ka bërë detyrat e shtëpisë, tash janë detyrat e BE-së.

Gazeta Express: Çfarë mendoni për marrëveshjet rreth hekurudhës, aviacionit dhe autostradës, të nënshkruara mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e të dërguarit të presidentit Donald Trump, Richard Grenell, në Mynih në prani të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, pa përfshirjen e kryeministrit Albin Kurti?

Viola Von Cramon: Grenell-i, Trump-i dhe të gjithë të tjerët duhet ta respektojnë vendimin e kosovarëve. Në Kosovë kishte zgjedhje demokratike dhe ata votuan për një qeveri të re. Nuk na përket neve që të vendosim se kush duhet të jetë në anën tjetër të tavolinës. Pra, duke u bazuar në kushtetutë dhe në korniza të tjera ligjore të Kosovës, është e qartë se kush duhet të përfshihet në vendimet për projektet infrastrukturore. Këto janë kërkesa minimale dhe, thënë përgjithësisht, gjithmonë është më mirë të përfshihen sa më shumë aktorë që është e mundur për të krijuar përkrahje të gjerë për projekte të ndryshme.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme