Ymeri:Në Siri tash e sa kohë po e pëson një popull i tërë

Ngjarjet e fundit në Alepo kanë tronditur ndërgjegjen e njerëzve anembanë botës. Qindramijëra fëmijë e pleq të vrarë barbarisht, shtëpi e spitale të shkatërruara, persekutime, masakra e spastrime, janë këto pasojat e një lufte që nuk po kryhet tash e gjashtë vjet. Asnjë interes ekonomik, kurrfarë influence gjeopolitike nuk e arsyeton këtë batërdi. Njerëzit atje po përballen me krime kundër njerëzimit, këto krime janë të dënueshme dhe duhen dënuar.

Ndërkohë që solidarizohemi me civilët e pafajshëm, kjo nuk mjafton për të parë rrugët e daljes nga kjo vorbullë e përgjakshme.

Siria është shembulli më ilustrues që na tregon se sa e rrezikshme bëhet bota kur marrëdhëniet ndërkombëtare udhëhiqen nga pragmatizmi- nga interesi vetjak për dominim. Në Siri tash e sa kohë po e pëson një popull i tërë, po i cenohet e shkatërrohet hapësira, po i pamundësohet jetesa e shkatërrohet e ardhmja. Është desovranizuar për t’iu kontrolluar territori e resurset, e kështu po i cenohet liria e mirëqenia. Një paqe e përhershme është e mundur vetëm nëse zhduken shkaqet e luftës.