Zbulohen detaje të reja për humbjen e jetës së Agon Tetajt, kishte edhe telefonatë që i priu vrasjes

Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit Shaban Gogaj.

Shaban Gogaj dyshohet se dy ditë më parë në lokalin e tij në Deçan e privoi nga jeta punëtorin Agonis Tetaj.

Sipas Prokurorisë, më 23 shtator 2018, në lokalet e kompanisë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj, me dashje e ka privuar nga jeta Agonis Tetajn, dhe ka vënë në rrezik persona të tjerë.

Më herët Prokuroria kishte kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj Shaban Gogajt, të akuzuarit për vrasjen e Agonis Tetajt, dy ditë më parë në Deçan.

Prokuroria kërkesën e ka mbështetur mbi dyshimet se i dyshuari mund ta pengojë rrjedhën normale të procedurës hetimore dhe të ndikojë në dëshmitarë pasi që “shumica janë punëtorë të tij”.

Prokuroria pretendon, gjithashtu, se i dyshuari Gogaj mund të fshehë prova.

Gjithashtu, Prokuroria pretendon se raportet ndërfamiljare janë të acaruara pas vrasjes së të shtunës dhe “mund të vijë deri te kryeja e ndonjë vepre tjetër penale”.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Shaban Gogaj, avokati Gëzim Baloku, tha së prokuroria është ngutur me kualifikim juridik dhe kërkoi nga gjykata që të dyshuarit t’i caktohet arresti shtëpiak.

“Mendoj që Prokuroria së pari është ngutur në kualifikimin e veprimeve të të dyshuarit, kur e ka kualifikuar si vrasje e rëndë. Këtë e them për shkak se duke marrë parasysh lajmin e parë në media, që ka qenë vrasje aksidentale, këto të dhëna në media i kanë dhënë organet policore. Ne i propozojmë gjykatës që të dyshuarit t’ia caktojë masën e arrestit shtëpiak pasi që është mjaft e rëndë dhe e pengon ndikimin në dëshmitar”, tha mbrojtësi Gëzim Baloku, raporton Kallxo.com.

Po ashtu, prokurorja e rastit, Sahide Gashi, e njoftoi gjykatën se Prokuroria ka ndërmarrë aktvendim për fillimin e hetimeve për shkak se ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari e ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë.

Shaban Gogaj dyshohet se më 23 shtator 2018, në lokalet e kompanisë “Gogaj AG”, me dashje e ka privuar nga jeta Agonis Tetajn, dhe ka vënë në rrezik persona të tjerë.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari menjëherë pasi kishte marrë një telefonatë, kishte shkuar te sirtari në zyrë, e kishte marrë pistoletën, dhe pasi e kishte futur fishekun në tytë, e kishte qëlluar në kokë tani të ndjerin Agonis Tetaj.

Ai, po ashtu, dyshohet për armëmbajtje pa leje, pasi që gjatë kontrollit të policisë në sirtarin në fjalë janë gjetur 2 armë të cilat kanë rezultuar se janë pa leje.

Lini Një Koment