Zyrtare: Xhemail Çupi bëhet anëtar i kryesisë së Lëvizjes BESA

Një nga figurat e rëndësishme të jetës publike në Dibër, i cili njihet si anëtarë i shoqërisë civile dhe kontribues në të mirë të qytetarëve, Xhemail Çupi, ka vendosur që të jetë pjesë e Lëvizjes BESA.

Çupi tashmë është bërë pjesë e kryesisë e Lëvizjes BESA, ndërsa bashkëngjitjen në radhët e kësaj partie thuhet se do ta bëjnë edhe shumë personalitete dhe organziata joqeveritare.

Lajmin për portalin Sakte.net e ka konfirmuar shefi i kabinetit të kryetarit të BESËS, Faton Fazliu, i cili ka thënë se Çupi ka kontribuar në vazhdimësi, qoftë në luftë apo paqe për përmirësimin e jetës së qytetarëve në Maqedoni.

“Xhemail Çupi ka ndikuar edhe në senzibilizimin e shoqërisë dibrane kundër ndotjes së ajrit dhe mbeturinave, gjë që ka shkaktuar panik tek pushtetit VMRO – BDI. Çupi ka qenë një nga figurat kyçe në rrethinën e Dibrës në luftën e 2001-ishit si pjesë e UÇK-së dhe njihet si kundërshtues i pakompromis i atyre që përfituan në emër të luftës së lavdishme të UÇK-së”, ka thënë Fazliu.

Ndryshe, ditë më parë është përfolur se edhe Arben Labënishit do të kalojë në BESË, mirëpo deri më tani kjo gjë as nuk është konfirmuar, e as mohuar.

Ditë më parë u publikua një anketë ku Lëvizja Besa jo vetëm që konfirmohet si parti e dytë në bllokun politik shqiptar, por edhe diferenca e BDI-së po shkrihet dhe tashmë është minimale. Sipas kësaj ankete, BDI është në krye me 13.4%, por dallimi ndaj Lëvizjes Besa tashmë është vetëm 3%.
xhemail